“Do të doja që ky tekst të ri-postohej, kopjohej dhe përkthehej në gjuhë të ndryshme. Të ndahet me të huajt dhe me politikanët e tyre. Unë nuk jam ushtarak. Nuk kam dashur asnjëherë të jem pjesë e ushtrisë. Unë kam një doktoraturë në histori, pra jam një studiues, punonjës në një muze. Dhe pak shkrimtar. Në përditshmërinë time merrem me kërkime në fushën e historisë dhe shkrimin e veprave shkencore. Po ashtu edhe libra artistikë. Por kohët e fundit kam qenë në ushtri. Sepse… në vendin tim po zhvillohet një luftë. Ne flemë mbi arka, ngjeshur pas njëri-tjetrit në pjesën e pasme të kamionëve dhe lahemi një herë në muaj me ujë të ngrohtë. Kur bie shi lagemi deri në palcë, dhe bëhemi me baltë nga koka tek këmbët (dhe ju kujtoj lahemi një herë në muaj, dhe nuk është e sigurt se do të jetë e mundur muajin tjetër).
Dhe në kushte të ngjashme, nëse jo më keq, janë aktualisht në Ukrainë mijëra historianë, shkrimtarë, kontabilistë, bankierë, punonjës të IT, mësues, stilistë dhe njerëz të profesioneve të tjera paqësore. Ata po vriten nga armët 152 dhe raketat Tochka-U, por edhe nga plumbat, municione thërrmuese dhe ato prej fosfori. Disa prej tyre kanë vdekur tashmë. Dhe disa nuk do t`i rikthehen kurrë më profesionit të tyre, pasi kanë pësuar trauma të rënda psikologjike. E megjithatë të gjithë vazhdojnë të luftojnë. Sepse pas tyre qëndron Ukraina. Sepse nëse ata i dorëzojnë armët, prindërit e tyre do të vriten, gratë dhe vajzat e tyre do të përdhunohen, dhe shtëpitë e tyre do të shkatërrohen ose do të konfiskohen.
Dhe kur politikanët nga Franca, Italia, Gjermania dhe vende të tjera sugjerojnë që të hedhim armët, të pajtohemi me humbjen e territoreve, t’i japim Rusisë disa garanci sigurie (absurde!!! Rusia nuk ka nevojë për asnjë garanci sigurie, fqinjët e saj kanë nevojë për garanci kundër kërcënimeve nga Moska)… Ndjej shumë zemërim dhe neveri. Neveri për këta njerëz të parëndësishëm, të cilët, për shkak të paragjykimeve të tyre ose falë parave të pista të Putinit, janë gati të dënojnë vendin tim me një gllabërim dhe me një vdekje të ngadaltë dhe të dhimbshme. Neveri dhe zemërim për ata që zotërojnë një fuqi të jashtëzakonshme për të ndihmuar në tejkalimin e krizës, por që kërkojnë, me apo pa vetëdije, ta thellojnë atë. Sepse edhe një dorëzim i plotë i Ukrainës përballë Rusisë, nuk do ta zgjidhë dot problemin e sigurisë globale.
Përkundrazi, kjo do ta nxisë Rusinë të kryejë pushtime të reja. Nuk kemi nevojë të na propozoni një pakt sipas të cilit duhet të dorëzohemi. Në rast se nuk jeni gati të luftoni me ne kundër një armiku të tërbuar, atëherë na ndihmoni me armë, para, sanksione. Ne kemi nevojë për gjithçka që është e mundur për të mposhtur Rusinë, dhe për të reduktuar në mënyrë drastike krizën globale. Por ne kemi ama gjënë më të rëndësishme: motivimin. Kemi historianë që janë të gatshëm të flenë mbi arka, 5 persona në 2 të tilla, dhe të jetojmë ta llangosur me baltë për javë të tëra pa pasur mundësi të lahemi.
Ne kemi kontabilistë që janë të gatshëm të mos hanë asgjë përveç një supe të thjeshtë për muaj të tërë. Kemi studentë të rinj që po i kalojnë vitet e tyre më të mira në rrezikun e vdekjes në çdo moment. Dhe ata nuk do të shkojnë askund nëse nuk vriten të gjithë. Dhe kjo me pëlqimin tuaj. Unë ju them se Ukraina do të luftojë ose deri në fitore, ose derisa të mos mundet të rezistojë më. Po ju çfarë do të bëni?
Me respekt, doktoranti në histori, autori i gjashtë librave, sot një rreshter i ri në Forcat e Armatosura të Ukrainës, Nazar Razlutsky.