Dy ditë pasi Argjentina u kurorëzua tri herë kampione e botës në “Katar 2022”, festimet vazhdojnë. Ikona e përfaqësueses bardhekaltër, Leo Messi, ka publikuar disa postime në llogarinë e tij në Instagram (me një rekord ndërveprimesh), i fundit jashtëzakonisht i veçantë. “Ylli” argjentinas ka shkruar një letër emocionuese për rrugën e fitores në Kupën e Botës, si dhe ka kujtuar ata që nuk e ngritën dot kupën.
“Nga Grandoli deri në Kupën e Botës në Katar, kaluan pothuajse 30 vjet. Kanë qenë gati tri dekada gjatë së cilave topi më dha shumë gëzim dhe gjithashtu pak trishtim. Gjithmonë e kam pasur ëndërr për të qenë kampion bote dhe nuk doja të ndalja së provuari edhe duke e ditur se kjo mund të mos ndodhte kurrë. Kjo Kupë që fituam është edhe për të gjithë ata që nuk e arritën në Botërorët e mëparshëm që luajtëm, si në vitin 2014 në Brazil, ku të gjithë e merituan, sepse luftuan deri në finale, punuan shumë dhe e donin aq shumë, siç bëra unë… Dhe e meritonim edhe atë finale të mallkuar.
Është gjithashtu Kupa e Diegos, që na inkurajoi nga parajsa. Dhe e gjithë atyre që e kanë mbështetur gjithmonë Kombëtaren, pa parë aq shumë rezultatin, por dëshirën tonë, edhe kur gjërat nuk shkonin ashtu siç donim. Dhe sigurisht dhe i gjithë këtij grupi të bukur që u formua dhe i stafit stërvitor dhe i të gjithë njerëzve të kombëtares, që, duke qenë anonimë, punojnë ditë e natë për ta bërë më të lehtë për ne. Shumë herë dështimi është pjesë e rrugëtimit dhe e të mësuarit dhe pa zhgënjim është e pamundur që të vijë suksesi. Faleminderit shumë nga zemra! Forca Argjentinë!!!”