Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu e shoqëruar nga ministrja e Shtetit për Standardet e Shërbimeve Milva Ekonomi kanë inspektuar Spitalin Rajonal të Durrësit, për të parë nga afër investimet në aparaturat e teknologjisë së lartë, që i janë shtuar këtij spitali.
Aparatura e re e matjes së dendësisë kockore (DEXA) dhe grafia e re digjitale janë dy prej investimeve të fundit në Spitalin Rajonal Durrës.
Duke folur për fuqizimin me aparatura të teknologjisë së lartë të spitaleve dhe poliklinikave, Manastirliu u shpreh se “janë mbi 4 milion euro të investuara në drejtim të fuqizimit të gjithë shërbimeve të radiologjisë ne vend. Të gjitha pajisjet janë të fjalës së fundit të teknologjisë, duke nisur nga 4 skanera të rinj të instaluar në Spitalet Universitare dhe Spitalet Rajonal të vendit. Gjithashtu 18 grafi digjitale të cilat janë të instaluara qoftë në Poliklinika, qoftë në Qendra Shëndetësore 24 orëshe, por edhe në spitalet tona”.
Një tjetër shërbim me aparatura të reja në Spitalin e Durrësit është edhe ai i Okulistikës.
Ministrja Manastirliu foli për zgjerimin e shërbimit të lenteve falas në spitalet rajonale.
“Ne kemi bërë të mundur që më shumë se 2800 të moshuar kryesisht, të përfitojnë paketën e kataraktës dhe lentet falas. QSUT-ja nuk është tashmë e vetmja qendër që e ofron këtë shërbim. Tani e bën Vlora e bën Durrësi, Elbasani dhe gjithashtu Korça kemi filluar, sepse edhe aty kemi investuar në pajisje të reja”- tha Manastirliu.
Duke folur për vijimin e investimeve në poliklinika, Ministrja Manastirliu tha se me buxhetin e vitit 2023 do të fillojë rehabilitimi i poliklinikave në spitalet rajonale të Elbasanit dhe Shkodrës si edhe do të fianlizohet rikonstruksioni për poliklinikat e Gjirokastrës dhe Dibrës.