Mbreti Charles III dhe gruaja e tij Camilla do të mirëpresin shumë të afërm në Kështjellën Windsor të martën në mbrëmje për një darkë gala me receta tradicionale me rastin e Krishtlindjeve, por Meghan Markle dhe princ Harry nuk do jenë pjesë e festës.
Lajmi për darkën e Charles vjen vetëm disa orë pasi Pallati Buckingham konfirmoi se mbreti, Camilla dhe pjesa tjetër e familjes mbretërore do të kalojnë Krishtlindjet në Sandringham për herë të parë në tre vjet. Charles dhe Camilla do të festojnë ditën e Krishtlindjes në ish-pronën e mbretëreshës së ndjerë në Norfolk.
Pas tre viteve shumë të vështira për shkak të Covid-19, familja mbretërore do të takohet sërish për një mbledhje tradicionale që do të përfshijë një darkë luksoze, por sipas mediave të huaja, Meghan dhe Harry kanë vendosur të qëndrojnë në SHBA, ndoshta edhe për shkak se Meghan nuk ndihet e qetë në praninë e familjes mbretërore, bazuar çfarë ka thënë në dokumentarin e Netflix.
Dhjetëra anëtarë të familjes mbretërore pritet të marrin pjesë. Princi Edward dhe vajza e tij Louise do të jenë gjithashtu të pranishëm. Darka para Krishtlindjeve zakonisht mbahet çdo vit në Pallatin Buckingham të mërkurën para Krishtlindjes, pak para se monarku të niset për në Sandringham për sezonin festiv.
Për shumë vite, mbretëresha e ndjerë priti familjen e saj në Pallatin Buckingham, me mbledhjen e fundit që u zhvillua në vitin 2019, muaj para pandemisë.