21 dhe 22 dhjetori do të jetë një ditë e ngjeshur për parlamentin. Në seancën e fundit plenare për këtë sesion parlamentar, ligjvënësit do të nisin diskutimet në orën 15:00 të së mërkurës për t’i vijuar ato edhe ditën e enjte.

Në rendin e ditës janë 12 projektligje, 2 akte normative dhe 4 projektvendime.

Ndër projektligjet që pritet të diskutohen janë për policinë bashkiake, dekoratat dhe titujt e nderit e kodin rrugor.

Për t’u votuar është edhe marrëveshja e huas për projektin e ndërtimit të rrugës, Tiranë- Qafë Plloçë dhe marrëveshja për zbatimin e asistencës financiare të Bashkimit Europian në Shqipëri, në kuadër të IPARD III.

Në këtë seancë të fundit pritet të zgjidhet edhe avokati i popullit dhe drejtuesi i Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të shtetit.

Pas pushimeve të fundvitit, jeta parlamentare pritet të rikthehet javën e tretë të janarit, në sesionin e ri parlamentar.