Ish-drejtuesi i policisë, Arben Hajdarmataj, duke analizuar aksionin e policisë dhe prokurorisë që ushtroi kontrolle të hënën e 26 dhjetorit në banesën e Ervis Martinajt dhe dy xhaxhallarëve të tij, deklaron se hetuesit mund të kenë indicie që biznesmeni i zhdukur që prej muajit gusht, të jetë gjallë. Hajdarmataj tha se një indicie mund të jetë dhe dekriptimi i mesazhit që Vis Martinaj i ka dërguar familjarëve të tij.
“Nëse denoncimi i xhaxhait të tij është bërë më datën 8 dhe mesazhi është më datën 9 atëherë presupozohet se është inskenuar denoncimi i xhaxhait të tij. Sepse është një ditë më mbrapa. Kjo mund të jetë një indicie shumë e fortë të cilën hetuesit mund ta kenë marrë tani, nuk e di kur mund ta kenë marrë, mund ta kenë marrë përpara 4 muajsh por dhe së fundmi. Fakti që bëhet publik është i kohëve të fundit. Nëse do të jetë kjo dhe lëviz një ditë është një indicie që Ervis Martinaj jeton dhe ishalla jeton nga ana njerëzore pavarësisht nga pozita e tij juridike në marrëdhënien me ligjin”, tha Hajdarmataj për Euronews.