Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, u bëri thirrje udhëheqësve të Bashkimit Evropian që të “garantojnë” se “mbështetja ushtarake dhe financiare për Ukrainën” do të jetë e kohëzgjatjes së kërkuar në samitin e së enjtes në Bruksel.

Seanca do të zgjasë një ditë. Do t’i paraprijë nesër të mërkurën takimi i 27 krerëve të shteteve dhe qeverive me homologët e tyre nga Asociacioni i Kombeve të Azisë Juglindore (ASEAN).

Charles Michel bëri thirrje të hënën, në ftesën e tij drejtuar liderëve, që të merren vendime për të siguruar që ndihma t’u jepet miliona civilëve ukrainas që janë pa energji elektrike, ngrohje dhe ujë të rrjedhshëm në Ukrainë mes fillimit të reshjeve të borës dhe rënies së temperaturave nën zero.

“Përtej nevojave imediate të vendit, një dialog i thelluar është gjithashtu i nevojshëm se si të garantohet kohëzgjatja afatgjatë e mbështetjes sonë ushtarake dhe ekonomike për Ukrainën,” shtoi ai.

Bashkimi Evropian është zotuar t’i japë Kievit 18 miliardë euro ndihmë makroekonomike në vitin 2023. Marrëveshja për detajet e kësaj mbështetjeje, e cila pritet të marrë formën e kredive pa interes, mbetet për t’u finalizuar.

Udhëheqësve të BE-së u kërkohet gjithashtu të sigurojnë burime furnizimi me energji për të përballuar “sfidat e dimrit të ardhshëm”, këmbënguli ish-kryeministri belg. Rusia mund të ndërpresë furnizimin me gaz për vendet anëtare të BE-së dhe mund të ketë një mungesë prej 30 miliardë metrash kub, paralajmëruan të hënën presidentja e Komisionit Evropian

“Perspektivat e zhvillimit tonë të ardhshëm nuk varen vetëm nga potenciali ynë për të menaxhuar goditjen energjetike në afat të shkurtër, por edhe nga aftësia e industrive tona për të mbetur konkurruese, aftësia jonë për të inovuar dhe investuar në teknologjitë e së nesërmes”, tha Michel.