“Zëri Shkon Aty Ku Shikimi Nuk Mundet”, kështu është titulluar projekti më i ri i Ministrisë së Arsimit, në mbështetje të nxënësve të Institutit të Nxënësve që nuk Shikojnë.
Prezantimi i këtij projekti është bërë nga vetë Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi, e cila së bashku me nxënës të gjimnazit “Partizani” kanë bërë regjistrimet e para të zërit.
Librat zanorë do të përgatiten nga nxënës të shkollave të ndryshme të vendit, me kontribut vullnetar, të cilët do të regjistrojnë leximin me zë të librave të ndryshëm artistikë, duke siguruar kështu një librari zanore në dispozicion të nxënësve të këtij instituti.
“Jam shumë e emocionuar nga solidariteti, mbështetja dhe ndërgjegjësimi i nxënësve tanë për të rritur të gjithë bashkë përpjekjet për të siguruar gjithëpërfshirje dhe edukim më cilësor për ata që kanë më shumë nevojë”- shprehet Ministrja Kushi në publikimin e saj në rrjete sociale.
Znj. Kushi i falënderon të gjithë nxënësit dhe mësuesit që po i janë bashkuar këtij projekti, dhe shprehet se po pret që të zgjerohet në sa më shumë shkolla të vendit.