Teksti i kompromisit për liberalizimin e vizave për Kosovën është miratuar nga ambasadorët e BE-së. Kështu njoftoi Presidenca Çeke me anë të një njoftimi në Twitter duke sqaruar se Kosova po ecën përpara në rrugën e saj evropiane.
“Ambasadorët e BE-së miratuan tekstin e kompromisit për liberalizimin e vizave për Kosovën përpara miratimit përfundimtar nga Këshilli i BE-së” – thuhet në njoftim.
Ky është hapi i fundit para miratimit përfundimtar nga Këshilli i BE-së.
Rregullat e reja do t’i lejojnë mbajtësit e pasaportave të Kosovës të udhëtojnë në BE pa vizë për një periudhë qëndrimi prej 90 ditësh në çdo periudhë 180 ditore. Aktualisht, Kosova është vendi i vetëm i Ballkanit Perëndimor, qytetarët e të cilit nuk mund të lëvizin lirshëm në këtë Europë.