Kryeministri Edi Rama në fjalën e tij në mbledhjen e Këshillit drejtues të Diasporës, ka folur për emigrimin e shqiptarëve. Ai ka theksuar se emigracioni mund t’i sjellë shumë të mira në një vend dhe se të gjitha vendet që njohim si më të zhvilluarit sot, nuk do të ishin aty pa emigrimin. Gjithashtu ai ka shtuar se për Shqipërinë emigrimi ka nisur vonë, ndaj vazhdon të ketë më tepër largime se kthime, por më vonë kjo do të ndryshojë dhe ata që do kthehen do sjellin kultura të reja pune.
Edi Rama:Të gjithë ata që kthehen sjellin një kulturë të re punë. Është një fazë e historisë që më tepër ikin se sa kthehen, por ky është një trend që në një moment të caktuar do ndryshojë. Por ajo që i sjell emigracioni i jep një kombi, një populli është e pazëvendësueshme. Parafytyroni sikur nga Britania e Madhe të mos kishte emigruar askush, drejt Shteteve të Bashkuara, apo drejt vendeve të tjera, dhe të vazhdonin të rrinin aty brenda të mbyllur në të gjithë shekullin e XX, parafytyroni sikur nga Norvegjia të mos kishte emigruar askush, parafytyroni në Itali të mos kishte emigruar. Nuk do ishte e mundur të ishin sot aty ku janë. Ky transfuzion i ka sjellë aty ku janë, pa emigracionin do kishin qenë të mbaruar, jo nga pikëpamja ekonomike, por nga pikëpamja e dijes.
Më tej kryeministri ka shtuar se emigracioni është një avantazh i Shqipërisë, por ne duhet të bëjmë më shumë përpjekje për të shfrytëzuar teknologjinë. Sipas tij duhet të bëhet e mundur që teknologjia të shfrytëzohet në mënyrë që specialistë të fushave të ndryshme të mund të punojnë në Shqipëri, pa qenë e nevojshme prania e tyre fizike në Shqipëri. Sipas tij kjo gjë mund të arrihet fare mirë në universitete, në administratë, por edhe në mjekësi.
Edi Rama: Akademia e Shkencave është një shembull i vogël, por shumë kuptimplotë. Se pavarësisht vendndodhjes gjeografike, mbledhja e burimeve njerëzore në rezervuarin e teknologjisë mund të krijojë kushte në të cilat njerëzit janë bashkë, adresojnë së bashku një sfidë dhe bëjnë se bashku punë. Akademia e Shkencave sot ka një departament të tërë që funksionon me akademik të nivelit të lartë që janë në vende të ndryshme të botës dhe që nuk kanë nevojë fare të vijnë në zyrën mëngjes në Tiranë, por janë secili në punët e tyre dhe ndërkohë janë dhe anëtarë dhe kontributorë të Akademisë së Shkencave. Akademia e Shkencave ka anëtarë të rinj sot të cilët nuk janë fare në Shqipëri dhe të cilët janë pjesë e Akademisë së Shkencave. Po këtë mund ta ketë çdo universitet në Shqipëri, çdo universitet në katedrat e veta mund të ketë pedagogë shqiptarë të cilët janë pedagogë në universitetet më të mira të botës. Për çfarë arsye në botë, nëse ne kemi bord të akreditimit të cilësisë së universiteteve që është i përbërë nga akademik që janë jashtë e funksionon më së miri, ne nuk kemi pse mos të kemi pedagog shqiptarë që kontribuojnë në universitetet më të mira të botës dhe që janë edhe në universitetet tona pedagog, që kanë klasat e tyre dhe që paguhen nga ne dhe që paguhen më mirë, patjetër. Ne po bëjmë përpjekje, por ky është një mur i madh paragjykimesh që ia krijojmë vetes para gjërave të reja, për të pasur nëpunës digjital, që janë në vende të tjera dhe që punojnë në administratën tonë po ashtu, nuk kanë nevojë të paraqiten në administratën tonë në orën 7:00. Po kështu me mjekët, nuk kemi pse mos të kemi në të gjitha spitalet e Shqipërisë mjekë shqiptar që janë në vende të tjera dhe që janë edhe në spitalin e Gjrokastrës, apo spitalit të Kukësit, apo spitalit të Lezhës dhe mund ta bëjnë fare mirë punën e tyre në spital përmes telemedicinës.