Avokati i bosit të kriptovalutave Faruk Ozer është gjobitur me 50 mijë lekë nga gjykata e Apelit Durrës pasi po zvarrit procesin gjyqësor. Klodian Skënderaj mungoi edhe sot në sallën e gjyqit pa dhënë asnjë sqarim. Për këtë arsye seanca u shty për në datën 27 dhjetor.

Turku, Faruk Fatih Ozer i akuzuar për mashtrime me vlerë deri në 2 miliardë dollarë, ka apeluar vendimin e gjykatës së Elbasanit për ekstradimin e tij drejt Turqisë. Ai pretendon se atje i rrezikohet jeta.

Që prej vitit të kaluar nga autoritetet turke u kërkuar arrestimi i 28 vjeçarit, i cili ishte filmuar nga kamerat e aeroportit të Rinasit, gjithashtu edhe nga kamerat e disa hoteleve në Tiranë, por më pas humbi gjurmët, duke u kthyer në një nga personat më të kërkuar.

Arrestimi i tij

SHISH dhe Forcat Operacionale ndoqën për 5 javë Faruk Ozerin dhe dy shqiptarët. Jetesa e tij shtrihej me Elbasanit dhe resortit luksoz në Palasë. Për disa javë, Ozer ka shijuar plazhin e jugut në vend duke ndryshuar edhe pamje për të mos u njohur, me flokë të qethura dhe me mjekër. Ozer është identifikuar nga gjurmët e gishtërinjve që linte teksa pushonte në ambientet e plazhit luksoz. Bashkë me 28-vjeçarin u kap në Palasë të Himarës e bashkë me të u arrestua edhe Edevaldo Haxhiu, nipi i presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka që akuzohet se e ndihmonte të shumëkërkuarin që t’i fshihej autoriteteve.

Në shoqërinë e tyre –thonë burimet policore – ishte dhe një person i tretë, i arrestuar, shqiptar nga Tirana, Briken Shkëmbi, 36-vjeç. Bosi i kriptomonedhave fshihej prej 4 muajsh në një banesë me qira në Elbasan, jo në emër të tij të cilën dyshohet se ia kishte siguruar Edevaldo Haxhiu.

Skema e mashtrimit

Faruk Ozer i arratisur prej muajit prill të vitit 2021 akuzohet në Turqi se në bashkëpunim me persona të tjerë ngriti një skemë mashtrimi nëpërmjet krijimit dhe shitjes së monedhave virtuale përmes kompanisë që vetë ai themeloi duke mashtruar rreth 400 mijë persona që investuan në platformën e tij, tashmë të mbyllur.

Autoritetet atje i bllokuan llogaritë bankare të kompanisë THodex ku iu gjetën 16 milionë lira. Sipas mediave turke, në momentin që është arratisur nga vendi, Faruk Ozer kishte me vete një server ku mbahen 108 milion dollar në formë kriptomonedhash. Në Turqi janë arrestuar disa bashkëpunëtorë të 28-vjeçarit me akuzën e mashtrimit.