Tirana është e gjitha e zbukuruar me ngjyrat dhe dritat festive, aq të dashura në muajin dhjetor kur e gjithë bota feston Krishtindjet dhe Vitin e Ri.
Pas pemës gjigande në Sheshin Skënderbej dhe në Kalanë e Tiranës, dritat festive mbrëmjen e sotme janë ndezur edhe te Pazari i Ri një tjetër zonë atraktive dhe mjaft e vizituar në kryeqytet.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, siç është kthyer tashmë në traditë çdo fundvit, së bashku me fëmijët kanë ndezur dritat festive të pemës duke uruar çdo kryqytetas për një vit të begatë.
“Kemi filluar një traditë shumë të bukur këto 7 vitet e fundit ku ne shkojmë në çdo lagje të Tiranës dhe sigurohemi që jo vetëm në shesh por dhe në çdo lagje të Tiranës ka gëzim. I japim një mesazh gjithë fëmijëve të Tiranës në këto ditë gëzimi që ka ardhur koha e fundit të vitit për të qenë bashkë me fëmijët, për të dhuruar dashuri e për të menduar për të gjithë ata që kanë nevojë. Ndaj dhe do doja tu bëja thirrje këtu nga Pazari i Ri, një zonë që është kuruar me shumë dashuri, është bërë me shumë mund, kur ne punojmë dhe bashkojmë forcat e kur ne ndërtojmë Tiranën tonë mund të kemi hapësira fantastike si kjo te Pazari i Ri,” u shpreh Veliaj.