Zërat për një favorizim të munndshëm të Argjentinës në këtë botëror nuk po kalojnë pa u vënë re në Francë ku një pjesë e madhe e mediave dhe opinionit publik nuk kanë qenë të pavëmendshme ndaj tyre. Vigjilja përpara ndeshjes është shoqëruar nga dyshime të mëdha dhe fakti që një pjesë e lojtarëve të Francës janë mbërthyer nga gripi, ka zgjuar edhe zërat e teorive të konspiracionit.
Rmc Sport i ka dedikuar një hapësirë të madhe argumentit se Argjentina mund të jetë në preferencat e FIFA-s për të fituar. Sipas kanalit me pagesë, Gianni Infantino nuk dëshiron që Messi ta mbyllë karrierën pa një trofe të Kupës së Botës.
Në vijim, Rmc shton se 3 nga 5 golat e shënuar prej numrit 10 kanë ardhur nga penalltia, çka do të thotë se “xhaketat e zeza” janë të orientuara të japin penallti shumë lehtë në favor të Argjentinës.
Veçanërisht, italiani Daniele Orsato është kritikuar ashpër për atë 11-metërsh të dhënë në ndeshjen me Kroacinë e madje në lojë hyri edhe presidenti kroat, Zoran Milanovic që e cilësoi një penallti “inekzistente”.
Akuza ka pasur edhe nga mbrojtësi luzitan Pepe ndërsa llogaria e FIFA-s në spanjisht në Twitter shpesh herë ndoshta e ka tepruar me shprehjet e gëzimit pas fitoreve të Argjentinës.