Adnan Xholi i cili garon për kreun e ri të SPAK ka nisur prezantimin në Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Ai renditi përvojën e tij profesionale dhe objektivat në rast se zgjidhet për të drejtuar prokurorinë e Posaçme.

Xholi shprehet se ka ardhur momenti që trupa e SPAK të vazhdojë me hapa më të mëtejshëm luftën kundër korrupsionit ndërsa shtoi se duhen hetime konkrete dhe në kohë të shpejtë duke u bazuar vetëm në prova.

“Kam aftësitë e duhura profesionale, hetimore dhe menaxhuese për të drejtuar SPAK. Kjo prokurori është bërë efektive falë punës tuaj dhe ndihmës së ndërkombëtarëve. Trupa e SPAK është trupa më profesionale e prokurorëve në republikën e Shqipërisë.

Krahas rezultateve të shkëlqyera që ka arritur SPAK këto tre vite, mendoj se ka ardhur momenti që trupa e saj të vazhdojë me hapa të mëtejshëm në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar për të forcuar më tej besimin e publikut. Duhet të kemi hetime konkrete në një kohë të shpejtë dhe duke u bazuar vetëm në prova. Jemi të detyruar që për secilin të mbështetemi në prova. Kam mbi 24 vite në prokurori pa shkëputje. Karriera ime ka pasur ngritje te vazhdueshme dhe konsistente. E kam vazhduar nga roli bazë. Përvoja drejtuese që kam pasur më ka dhënë mundësinë që të forcoj raportet mes prokurorisë shqiptare dhe ndërkombëtarëve.

Çmoj se ky bashkëpunimi është shumë efikas në luftën kundër kriminalitetit. Krahas eksperiencës time profesionale kam një eksperiencë të pashkëputur në fushën akademike. Paketa ligjore e reformës në sistemin e drejtësisë solli risi decentralizimin e organit të akuzës. Tashmë drejtuesi ka rolin e menaxherit. Edhe pse prokurorët janë të pavarur, them se kjo pavarësi nuk është privilegj. Nëse do votohem nga ana juaj, qenia drejtues nuk të heq titullin e prokurorit”, deklaroi ai.