Në prag të vigjiljes së Krishtlindjes, kryeministri Edi Rama ka surprizuar vogëlushët në Pediatrinë e Tiranës. Në një aktivitet të organizuar për Krishtlindjet, Rama u ndau sot dhuratat fëmijëve që po marrin trajtim në pediatri, të cilët padyshim i pritën me padurim.

Rama ishte i shoqëruar nga ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ndërsa ky aktivitet shënoi edhe çeljen e investimeve për fazën e dytë të modernizimit të spitalit të fëmijëve në QSUT një investim prej 6,6 milionë euro, me 120 shtretër, ku përveçse do të ofrohen shërbime të modernizuara për pacientët e vegjël, do të përmirësohen ndjeshëm kushtet e punës për personelin mjeksor.

“Faza e dytë parashikon gjithë rehabilitimin dhe forcimin nga themelet të gjithë Pediatrisë së Përgjithshme ku janë 120 shtretër të mirëorganizuar dhe ku përfshihet shërbimi i dializës, pneumologjisë, pra të gjitha shërbimet që përfshin Pediatria e Përgjithshme. Kështu që, me fazën e dytë kompletohet i gjithë Korpusi i Spitalit Pediatrik këtu në QSUT. Është investim i buxhetit të shtetit, prej 6.6 milionë eurosh”, tha Manastirliu.