Kryeministri i Izraelit i ktheu përgjigje atyre që e krahasuan me presidentin turk dhe foli për ndryshimin e marrëdhënieve mes tyre.
“Erdogan më thërriste Hitler çdo 6 orë”, tha kryeministri në detyrë i Izraelit në një intervistë të fundit, duke analizuar sesi marrëdhëniet midis liderëve ndryshojnë dhe përshtaten me politikën e jashtme.
I pyetur nga gazetari amerikan Barry Weiss se si e sheh ai faktin që shumë media e vendosin atë në të njëjtën kategori me Rexhep Tajip Erdogan dhe “udhëheqës të tjerë autoritarë”, Benjamin Netanyahu tha konkretisht: “Kjo është fëminore. Unë gjithmonë e kam vënë veten në gjykimin e qytetarëve në zgjedhje. Shikoni, miku më i mirë i Erdoganit për disa vite ishte Barack Obama. Ata ishin miq të ngushtë. Mendoj se kjo ndryshoi pasi Erdogan filloi të hedhë më shumë gazetarë në burg duke minuar në mënyrë efektive demokracinë në Turqi. Marrëdhëniet tona janë përmirësuar. Më thërriste Hitler çdo 6 orë”.
“A është vetëm çdo 12 orë tani?” e pyet gazetari me shaka. “Jo, ne patëm një bisedë miqësore ditën tjetër dhe jam shumë i lumtur për këtë. Mendoj se është e rëndësishme. Jo domosdoshmërisht sepse unë miratoj gjithçka që bën Erdogan, nuk është kështu, por – meqenëse Barack Obama kishte marrëdhënie të mira me Turqinë dhe ndërsa Presidenti Biden takohet me liderët e Kinës ose me liderët e vendeve të tjera në rajonin tonë që nuk kanë tamam demokraci luksemburgase – kjo është ajo që bën politika e jashtme. Është një kombinim interesash dhe vlerash dhe ju duhet të mbani ekuilibrin”, u përgjigj Netanyahu.
Siç shpjegoi lideri irzaelit, ai portretizohet gabimisht nga disa si një lider autoritar dhe antidemokratik, pasi ai është në fakt një demokrat i shekullit të 19-të dhe i ditur – në të njëjtën masë ose më shumë se liderët e sotëm të demokracive perëndimore – në elementet bazë të demokracisë moderne.