Katër të rinj kanë humbur tragjikisht jetën si pasojë e një aksidenti rrugor që ndodhi natën mes të premtes dhe të shtunës në Itali, në zonën e San Giustino Umbro, në provincën e Perugias.
Të katër, dy djem 21 dhe 20 vjeç dhe dy vajza 22 dhe 17 vjeç, ndodheshin në një makinë Fiat Punto, e cila, në bazë të asaj që është rikonstruktuar deri më tani nga karabinierët, ka përfunduar jashtë rrugës ndoshta për shkak të sipërfaqes së lagësht nga shiu.
Duket se ata erdhën nga një festë ditëlindjeje dhe po shkonin në një disko në San Sepolcro. Aksidenti ka ndodhur në një rrugë të drejtë, ndërkohë që makina fillimisht përfundoi në një kanal dhe më pas në murin mbajtës të një ure. Të rinjtë kanë gjetur vdekjen e menjëhershme brenda makinës.