Kombëtarja Shqiptare është ende pa një trajner, pasi italianit Edi Reja i skadoi kontrata në fund të nëntorit dhe duket se në Federatën Shqiptare të Futbollit kanë vendosur të mos i ofrojnë më rinovimin. Prej ditësh institucioni drejtues i futbollit në vend ka nisur punën për të gjetur një trajner të ri për kuqezinjtë, teksa emrat e përfolur dhe kontaktuar janë të shumtë, e disa prej tyre edhe të bujshëm. Megjithatë SuperSport mëson se rrethi i kandidatëve është ngushtuar në 4 emra, të cilët po studiohen me imtësi dhe shumë shpejt pritet që stoli kuqezi t’i besohet njërit prej tyre.
Por cilët janë emrat në listë?
Massimo Oddo
I vetmi italian i mbetur ende në garë është ish-mbrojtësi i Milan, Massimo Oddo. 46-vjeçari ëshë i papunë nga qershori i këtij viti, pasi aventura me Padova-n zgjati shumë pak, vetëm 8 ndeshje. Emri i ish-kampionit te botës me Italinë në vitin 2006 ndoshta sjell pak kujtime si trajner, por e kaluara si futbollist është për t’u respektuar. Oddo ka luajtur për skuadra të ndryshme në Itali si,Napoli, Lazio, Verona, Lecce, por kulmin e kishte në sezonin 2006-2011 me Milan, ekip me të cilin fitoi gjithçka, pa harruar edhe një huazim një vjeçar te Bayern Mynih. Eksperiencën e parë si trajner dhe njëkohësisht më jetëgjatën, Oddo e regjistron në maj të 2015-ës në stolin e Pescarës, ku drejtoi për plot 80 ndeshje. Gjithashtu ai ka drejtuar ekipe të tjera si, Udinese, Crotone, Perugia dhe së fundmi Padova, ndërsa në horizont, Shqipëria mund të jetë eksperienca e tij e parë në drejtimin e një përfaqësueseje.
Sylvinho
Ish-mesfushori i njohur brazilian, Sylvinho është një tjetër kandidat. Si futbollist, 48-vjeçari ka pasur një karrierë të shkëlqyer, duke veshur fanellat e klubeve si Corinthias, Arsenal, Celta Vigo, Barcelona e Manchester City, ndërsa prej 2011-ës ka varur këpucët në gozhdë, për t’iu përkushtuar trajningut. Eksperienca e parë si trajner ishte ajo e ndihmësit të Tites te Corinthias, ndërsa në dhjetor të 2014-ës u transferua në Milanon zikaltër, për të bërë ndihmësin e Roberto Mancinit në pankinën e Interit. Më 2016-ës u bë sërish krahu i djathtë i Tites, këtë herë në përfaqësuesen e Brazilit, ndërsa në 2019-ën provoi eksperiencën e parë si trajner i parë i një klubi të njohur. Ishin francezët e Lyonit ata që i besuan pankinën, por eksperienca në Ligue 1 zgjati pak për Sylvinhon, që u shkarkua në tetor të 2019-ës, vetëm 4-5 muaj pas emërimit. Më pas, në maj të 2021-shit Sylvinho u emërua trajner i Corinthiasit, ku rezistoi thuajse një vit, pasi u shkarkua në shkurt të këtij viti. Aktualisht Sylvinho është i papunë dhe në pritje të një shansi për të treguar se vlen edhe si trajner, teksa Kombëtarja Shqiptare do të ishte një trampolinë e mirë drejt ligave të njohura europiane për brazilianin 48-vjeçar.
Felix Magath
Gjermani 69-vjeçar ishte një kandidat për stolin e Kosovës, që asokohe zgjodhi t’i besojë francezit Allain Giresse, ndërsa tani emri i tij po shqyrtohet me kujdes edhe në Federatën Shqiptare të Futbollit. Magath bën punën e trajnerit që prej 1995-ës dhe ka një eksperiencë për t’u konsideruar, pasi ka drejtuar klube të shumta në Bundesligë, si Hamburg, Nurnberg, Werder Bremen, Eintracht Frankfurt, Stuttgart, Bayern Mynih, Schalke 04, Wolfsburg e Hertha Berlin, ndërsa larg Gjermanisë ka drejtuar Fulhamin në Angli dhe Shandong Luneng në Kinë. Në FSHF ruajnë ende kujtime të mira nga “gjermani i parë dhe i fundit” që ka drejtuar kuqezinjtë, Hans Peter Brigel, teksa Magath ka në favor edhe eksperiencën e jashtëzakonshme, por jo moshën.
Reinaldo Rueda
Ndonëse është lakuar shumë pak gjatë këtyre kohëve, edhe kolumbiani 65-vjeçar është një emër që respektohet dhe po shqyrtohet me vëmendje në zyrat e FSHF-së. Në favor të amerikano-latinit është fakti që në karrierën e tij ka drejtuar kryesisht përfaqësuese, përfshi Kolumbinë e tij dy herë, Hondurasin, Ekuadorin e Kilin në periudhën 2018-2021, me të cilët ka bërë shumë mirë./ Super Sport