Pasi qëndroi për 20 vite në ‘robëri’, i mbyllur brenda kafazit të një restoranti në Tiranë, ariu i murrmë Mark ka mbërritur në Austri për një jetë të re dhe të sigurt. Shoqata austriake ‘Four Paws’, e përfshirë në ndihmën e kafshëve bëri të mundur transferimin e ariut nga Tirana drejt Austrisë. Marku, ariu i murrmë 24-vjeçar u shpëtua më 7 dhjetor dhe mbërriti në shtëpinë e tij të re, “BEAR SANCTUARY Arbesbach” në Austri të premten, raporton CNN.

Kur organizata “Four Paws” pa Markun për herë të parë, kafsha vuante nga probleme të rënda shëndetësore. Ai ishte mbipeshë, kishte dhëmbë të thyer dhe shfaqte sjellje “jonormale” si ritmi për shkak se ishte detyruar të qëndronte në kafazin e vogël dhe të ngushtë në restorantin në Tiranë.

Ariu nisi një udhëtim 44 orësh për në shtëpinë e tij të re. Ai udhëtoi nëpër Maqedoninë e Veriut, Greqinë, Bullgarinë, Rumaninë dhe Hungarinë përpara se të arrinte më në fund në shtëpinë e tij të re.

Organizata “Four Paws” tha se ariu ishte i qetë dhe i relaksuar gjatë udhëtimit.

“Ne bëmë ndalesa të rregullta që veterineri jonë që na shoqëronte ta kontrollonte atë dhe ta ushqente me fruta dhe perime. Pasi mori një dietë të papërshtatshme me mbetje restoranti dhe kryesisht bukë për dy dekada, ai ishte pak ngurrues për perimet, por hante me kënaqësi rrushin që i dhamë”, tha në njoftim Magdalena Scherk-Trettin, e cila koordinon projektet e shpëtimit dhe avokimit të kafshëve të egra të “Four Paws”.

“Four Paws” tha se Marku po ‘hezitonte’ të eksploruar habitatin e tij të ri me dëborë sepse ai nuk kishte dalë nga kafazi për më shumë se njëzet vjet. Mark do të qëndrojë i mbyllur në një hapësirë të vogël në natyrë për momentin derisa të përshtatet me mjedisin e tij të ri dhe të zhvendoset në një ambient më të madh.

Streha ku do të qëndrojë ariu i murrmë Mark ndodhet në Arbesbach ka funksionuar që nga viti 1988. Marku do t’i bashkohet tre arinjve të tjerë të shpëtuar të thinjur që jetojnë në 14,000 metra katrorë mjedis natyror.

“Me shpëtimin e Markut ne i dhamë fund praktikës mizore të mbajtjes së tij pranë një restoranti për të tërhequr dhe argëtuar vizitorët. Tani jemi një hap më afër një bote ku njerëzit i trajtojnë kafshët me respekt, ndjeshmëri dhe mirëkuptim,” tha presidenti i Four Paws Josef Pfabigan në njoftim.

Rasti i ariut të murrmë u soll në vëmendje nga mediat italiane të cilat i kushtuan një artikull për mënyrën sesi ai mbahej në një kafaz të një restoranti në Tiranë, një atraksion tradicional për klientelën, por që tregonte keqtrajtimin e këtyre kafshëve. Pasi kësaj reagoi “Four Paws”, një organizatë globale për mirëqenien e kafshëve me seli në Vjenë. Ajo mori përsipër largimin e ariut Mark nga kafazi drejt strehimores në Austri.

Në vitin 2016, në Shqipëri, sipas “Four Paws” kishte rreth tridhjetë raste si ai i ariut të murrmë Mark, por shumica prej tyre, falë ndërhyrjes së organizatave për mbrojtjen e kafshëve, mundën të shpëtoheshin dhe të transferoheshin në vendstrehime të arinjve jashtë vendit.