Brazili i ka dhënë lamtumirën Botërorit 2022 me yllin e kësaj skuadre, Nejmar, i cili mund të mburret vetëm për faktin se tashmë duhet të renditet mes legjendave të “seleçaos”. Përtej diskutimeve nëse e meriton një status të tillë, statistikat e vendosin atë mes yjeve më të ndritshëm të kësaj përfaqësueseje. Goli i shënuar në shtesë ndaj Kroacisë sot, i dha mundësinë atij që të hynte në historinë e përfaqësueses si futbollisti i dytë i saj që shënonte në shtesat e një Kupe Bote, me një gol për të cilin ishin pritur 84 vite.

Rezulton se në të gjitha shtesat që ka luajtur Brazili në historinë e vet në Botërorë, vetëm Leonidas ishte ai i cili kishte shënuar, për më tepër dy gola, në ndeshje ndaj Polonisë në vitin e largët 1938. Por ky gol kishte një tjetër rëndësi për Nejmar pasi ishte i 77-i në kombëtare, duke barazuar Pele si golashënuesi më i mirë i të gjitha kohëve të saj. Një gol që nuk kishte vlerë për të kaluar më tej Brazilin në fazën tjetër të turneut, me “seleçaon” dhe vetë Nejmar që e mbyllën me lot pasi dolën me penallti përballë Kroacisë.