Njerëzit në rrjete sociale nuk i kanë kursyer kritikat për presidentin e Francës, Emmanuel Macron, nisur nga sjellja e tij kundrejt yllit të ri të futbollit, Kylian Mbappé.

Tifozët kritikojnë ashpër Macron-in për faktin që u përpoq vazhdimisht që të ngushëllonte heroin e Francës, i cili shënoi tre gola spektakolarë dhe u bë futbollisti i dytë në historinë e Kupës së Botës që realizon tripletë në finale (të shënojë 3 gola).

“Macron është shumë i dëshpëruar për një reagim nga Mbappé, por në tre përpjekjet kryesore, sulmuesi nuk i jep atij asnjë kontakt me sy dhe asnjë mundësi për foto,” shkruan dikush.

Në të vërtetë, situata ishte e çuditshme dhe e sikletshme. Macron tentoi vazhdimisht ta ngushëllonte Mbappé-n, por ky i fundit duket mospërfillës, pothuajse i bezdisur nga prania e tij dhe nuk e sheh në sy.

“Jam në shok. Ai e trajtoi si të ishte askush para syve të gjithë botës,” lexohet diku.

Njerëzit kanë mendime të ndryshme për sjelljen e 23-vjeçarit. “Nëna e Mbappé është muslimane dhe ai u rrit në një komunitet musliman. Macron njihet si islamofob nga shumë njerëz në Francë,” thotë dikush.

Një tjetër është i mendimit se Macron ishte një nga ata që ushtruan presion që Mbappé të nënshkruante një kontratë të re me Paris Saint-Germain. “Nuk ka rëndësi çfarë, nga perspektiva e futbollit ai duhej të kishte shkuar te Real Madrid,” shton ai.

Nga ana tjetër, ka edhe njerëz që mendojnë se Mbappé ishte thjesht i dëshpëruar. “Është 23 vjeç, dha maksimumin e tij, bëri të pamundurën dhe sërish humbi. Çfarë prisni nga ai? Lëreni të qetë,” shkruan një person në Twitter.