Tre gra, përfshirë një mikeshë të kryeministres italiane Giorgia Meloni, u vranë të dielën kur një burrë nxori armën dhe hapi zjarr në një takim me banorët e një blloku apartamentesh në Romë.

Sipas mediave të huaja, përveç të vrarëve, të plagosur kanë mbetur katër të tjerë – të paktën një në gjendje të rëndë, kur i armatosuri hapi zjarr në takimin e mbajtur në një lokal në lagjen Fidene të kryeqytetit italian.

Policia arrestoi një 57-vjeçar. Mes viktimave ishte dhe Nicoletta Golisano, 50 vjeç, nënë e një djali 10-vjeçar, e cila ishte e pranishme në takim si kontabiliste.

Dhe kryeministrja Giorgia Meloni zbuloi mbrëmjen e së dielës se ato ishin shoqe.

“… Vrasësi ‘është arrestuar dhe shpresoj që drejtësia të marrë rrugën e saj shpejt’. Por ‘fjala “drejtësi’ nuk do t’i përshtatet kurrë këtij rasti. Sepse nuk është e drejtë të vdesësh kështu”, ka shkruar ndër tjerash kryeministrja.