Nga Adriatik Doçi/

Partia Demokratike do ta nisë betejën politike në vitin 2023 kundër ligjit për investimet strategjike, me pretendimin se ky ligj pengon integrimin në BE si dhe favorizon njerëz të lidhur me Partinë Socialiste. Pas rrëzimit të trefishtë në maj-qershor të këtij vitit, të kërkesës për ngritjen e një komisioni hetimor për investimet strategjike, deputetja Jorida Tabaku ka depozituar një projektligj në Kuvend, për bllokimin e aplikimeve për fitimin e statusit investitor strategjik. Nisma ligjore parashikon që pas datës 1 janar 2023 të mos pranohet asnjë kërkesë nga subjektet private për t’u shpallur investitor strategjik, status i cili mundëson pronë publike falas për 99 vjet, lehtësim të procedurave, zerimin e taksës së infrastrukturës, zerimin e taksës së pronës si dhe zerimin e taksës së fitimit për 10 vjet. Deputetja Tabaku thekon se nga ligji po përfitojnë personazhe pranë PS-së, duke përmendur rastin e anëtarit të Këshillit Bashkiak Tiranë, Gazmend Paja, i cili ka përfituar 133 mijë m2 tokë në Dhërmi si dhe ish-deputetin socialist Artan Gaçi. Tabaku thekson se ligji dëmton konkurrencën e lirë dhe si i tillë, sipas saj, pengon procesin integrues. Në relacionin shoqërues, zonja Tabaku pretendon gjithashtu se ka asnjë garanci se ligji mund ta kthejë vendin në një lavatriçe të pastrimit të parave.

“Kompani dhe personazhe të dyshimtë, në bashkëpunim me qeverinë, kanë përdorur mekanizmat që ofron ky ligj, për të përfituar apo marrë nën administrim pasuri të rëndësishme, pa asnjë lloj gare, transparence apo konkurrence. Kjo sigurisht në dëm të interesit publik, por edhe të vetë tregut të lirë, pasi investitorë të tjerë vendas apo të huaj detyrohen t’i nënshtrohen procedurave konkurruese, të paguajnë ë gjitha detyrimet tatimore…. Në vlerësimin tonë, ligji aktual paraqet problematika në raport me rregullimet e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, nenet 71 dhe 74 të së cilës sanksionojnë parimet e konkurrencës së lirë dhe mosdiskriminimit në të gjitha llojet e kontratave publike. Pikërisht, në momentin që ndodhet Shqipëria, pas hapjes së negociatave, aplikimi i një ligji që krijon problematika në raport me Marrëveshjen kuadër të Shqipërisë me vendet e Komunitetit Evropian, do të ishte mesazhi me i gabuar që iu dërgohet shteteve anëtare”.

Ligji për investimet strategjike u miratuar nga Kuvendi në vitin 2015, me qëllim për të tërhequr investime të mëdha në Shqipëri, në këmbim të lehtësirave. Shtatë vite më vonë ka diskutime nëse ky qëllim është arritur apo jo. Nga 35 projekte të shënuara si investime strategjike nga viti 2016 deri në vitin 2021, dy kanë ardhur nga jashtë, katër janë investime të përbashkëta dhe 29 investime janë vendase.