Michelle Obama ka dhënë së fundi një intervistë gjatë së cilës ka rrëfyer detaje nga martesa e saj me Barack Obama-n.
Ish-“Zonja e Parë” e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në intervistën e dhënë për “REVORT Studios” ka rrëfyer për vështirësitë e marrëdhënies së saj me ish-presidentin.
Sipas saj, pas ardhjes në jetë të dy vajzave të tyre, Sasha dhe Malia, gjërat mes tyre kanë qenë të vështira.
“Për dhjetë vjet nuk e durova dot burrin tim”, deklaroi ajo.
Ndërsa ishte nënë e re në përpjekje për të rritur mirë vajzat e saj, tregon Michelle, Barack-u luante golf ose shkonte në palestër.
“Martesa nuk është kurrë 50/50. Zakonisht është 70/30, ndonjëherë është 60/40”, tha ajo pasi kujtoi periudhën kur burri i saj ishte fokusuar në karrierën e tij politike në fillim të viteve 2000 dhe mungonte vazhdimisht në shtëpinë e tyre.
Sa i përket nevojave të fëmijëve, Michelle tregon: “Fëmijët janë si terroristë. Kanë kërkesa, nuk flasin, nuk merren vesh, qajnë gjatë gjithë kohës. Por ti i do më shumë se çdo gjë dhe nuk mund t’u vesh faj. Kështu, domosdoshmërisht ktheheni kundër njëri-tjetrit”.
Së fundi, Michelle e mbylli me një mesazh për çiftet e reja: “Mos u dorëzoni kurrë, ndjenjat ndryshojnë dhe duhet të jeni të duruar”.