Nga Mero Baze/
Është hera e dytë që Sali Berisha organizon “primare” në opozitë. Hera e parë kanë qenë zgjedhjet lokale të vitit 2000. Arsyeja është e njëjtë. Në atë kohë, PD e goditur rënd pas ngjarjeve të vitit 1997, po përballej me një problem të ri, daljen kundër saj të një grupi të konsiderueshëm deputetësh kundërshtarë të Berishës me në krye Genc Pollon. Edhe pse procesi degradoi rrugës, kur Berisha u detyrua të organizonte “Primaret” e vitit 2000, thuajse gjithë emrat më të rëndësishëm të asaj kohe për PD ishin në krahun e Pollos. Madje dhe Tritani.
Kjo e bënte shumë pesimiste atmosferën para zgjedhjeve të vitit 2000. Për të eliminuar efektin e tyre dhe për të nxitur ambiciet për garë Beirsha shpalli “primaret””, pra zgjedhjen e kandidatëve nga vet baza, duke e paraqitur si shenjë demokracie.
Në fakt, ishte një përpjekje për të mbytur demokracinë brenda PD, për shkak të deformimeve të rënda të së cilës, pjesa më e rëndësishme e deputetëve kishin dal kundër Berishës.
Nuk po flas për cilësinë e atyre primareve, edhe pse ishin më të mira se këto të sotmet, pasi organizoheshin në çdo komunë dhe bashki të Shqipërisë që ishin afërsisht rreth 400 njësi, nga 61 që janë sot.
Edhe këto të sotmet organizohen për të njëjtin motiv. Meqë Berisha është shpresëprerë përballë një fushate zgjedhjesh ku PD është e ndarë, ai po përpiqet të kundërvërë bazën e PD ndaj Lulzim Bashës. “Primaret” e Berishës nuk janë as të reja, as demokratike, as të ndershme, por janë një histori e përsëritur antidemokratike për të mbuluar pandershmërinë e tij në betejën politike për të përdorur PD për interesa të veta.
Njësoj si “primaret” e para edhe këto të sotme, po zhvillohen nga nevoja që ka Berisha për të mbytur defektet e demokracisë që ka krijuar vet në PD, dhe për të eliminuar kundërshtarët që ka përballë përmes një teatri që shpreson se do nxis ambiciet e njerëzve në bazë kundër Lulzim Bashës dhe grupit të tij.
Për kaq i duhen. Ndaj dhe nuk është shumë i interesuar se si shkojnë, pse janë aq të parregullta, pse janë bërë aq qesharake dhe mbi të gjitha pse nxjerrin kandidatë edhe më të dobët se sa kanë mundësi. E di që nuk i shërbejnë për të fituar mbi Ramën, por do thjesht të fitoj mbi Bashën.
Sa herë që ai nuk e kontrollon dot PD, sa herë i shfaqet dikush përballë që i rrezikon pushtetin atje, ai i drejtohet lojës së “primareve” me qëllim që të “ballafaqoj” popullin me armikun e vet. Dhe në fund të tyre, në vend të “unitetit” ka prodhuar ndasi të reja brenda PD duke e bërë atë edhe më të dobët.
Kjo pasi çdo përpjekje për të fshehur defektet e demokracisë brenda partisë, me një teatër të tillë, nuk e korrigjon problemin por e thellon atë. Dhe Berisha duke fshehur betejën e vërtet që ka brenda PD, duke e deleguar atë në beteja kacafytjesh mes rivalëve të vegjël në bazë, thjesht dobëson PD për të qenë vet më i fort në një nga copëzat e saj. Atij nuk i duhet gjithë PD, nuk i intereson fitorja e saj, por sundimi mbi një cop të saj që flet në emër të së tërës edhe si humbëse.
Këtë e ka të sigurt, pasi qysh sot, i kanë ikur nja 30 për qind e kandidatëve nga gara!