Nga Brixhilda Xhuraj

Në kulmin e një eventi historik për Shqipërinë, në një cep tjetër të Tiranës, Sali Berisha ka thirrur një protestë.

Teksa të gjithë liderët evropianë mblidhen në Kryeministri, ai ka mbledhur të ashtuquajturit aleatë të tij.

Sërish, së bashku me liderin e Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ata do të protestojnë në “sy të Evropës”.

Berisha ka kërkuar t’i tregojë fytyrën e vërtetë të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, Evropës e cila e ka përgëzuar dhe vlerësuar me mbajtjen e samitit më të rëndësishëm të historisë së diplomacisë shqiptare.

Analisti Skënder Minxhozi në një mendim të tijin sa i takon situatës shprehet se strategjia opozitare e sfidës së hapur dhe refuzimit për të negociuar po krijon një efekt të kundërt nga ai që shpresojnë ish-kryeministri dhe ish-presidenti:

“Duke sfiduar çdo logjikë që lidhet me sigurinë e aktivitetit dhe duke përdorur një gjuhë që s’ka asnjë lidhje me kodet dhe standardet e sjelljes e të komunikimit të 27 shefave të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, Sali Berisha dhe Ilir Meta vetëm sa po ju kujtojnë edhe një herë evropianëve se në Shqipëri nuk kanë një partner tjetër të qëndrueshëm përveç Edi Ramës”.

Për të ata të dy me këtë veprim ia kanë lënë gjithë skenën kryeministrit aktual, e “për vete kanë marrë shishet me benzinë dhe nuk duan t’ia dinë çfarë ndodh nesër”.

Berisha e thirri protestën pak pasi mbajti një të tillë muaj më parë.

Doli në shesh thirri kundër Qeverisë dhe shpërndau turmën.

Duket se “korrupsioni i zyrtarëve të lartë” për ish-kryeministrin e vendin, duhet të luftohet sot gjatë samitit.

“Reklamë më të mirë për Ramën zor se bën dot kush në këtë vend”, shprehet Minxhozi.

Tashmë lideri i selisë blu po dëshiron ta kthejë PD-në nga një jo-amerikane në një jo-evropiane.

Sulmi ndaj ambasadorëve nuk është i mjaftueshëm, e për këtë duhen edhe trazira përballë Evropës.

Por çfarë do të arrijë Berisha.

Minxhozi është i mendimit se në të mirë ose në të keqe, evropianët kanë rastin të kuptojnë se instinkti i vjetër autodestruktiv që mbijeton tek opozita shqiptare, hedh në fakt në erë urat e bashkëpunimit të nesërm të kësaj opozite me ndërkombëtarët.

Për të, evropianët kanë rastin të kuptojnë se nëse do ju duhet t’i bien telefonave të opozitës në një moment urgjence, s’do t’ju përgjigjet askush pasi do të jenë rrugëve apo duke u marrë me revolucione imagjinare.

Teksa Berisha dhe Ilir Meta do të jenë duke protestuar një njoftim tjetër bëhet publik.

Vendimi i Gjykatës së Apelit për fatin e Partisë Demokratike. Kjo nëse nuk shtyhet sërish e sërish.