Paul Pogba ëndërron që debutimin me Juventusin këtë sezon ta kryejë më 13 janar, në ndeshjen ndaj Napoli. Kjo datë është rrethuar me të kuqe në kalendar si nga mesfushori francez ashtu dhe nga klubi bardhezi.

Sipas “Gazzetta Dello Sport”, puna e kryer nga mesfushori, që u detyrua të mos jetë pjesë e kombëtares franceze në Kupën e Botës, ka ecur me ritme të mira. Gjatë pushimeve të botërorit, ai ka qenë në Amerikë, ku është stërvitur i pavarur.

Prej disa ditësh ai ndodhet në Torino, ku po stërvitet në palestër e pishinë, ndërkohë që ngarkesa e stërvitjes rritet dita-ditës. Nëse gjërat vijojnë në këtë ritëm, atëherë mesfushori kampion bote javën e ardhshme do të nisë përgatitjen me top në fushë.

Ndërsa puna bashkë me pjesën tjetër të skuadrës mund të nisë pas Krishtlindjeve. Pra, Pogba synon të jetë gati për ndeshjen ndaj Napoli, më 13 janar, çka do të ishte një lajm i shkëlqyer për lojtarin, trajneri Allegri dhe tifozët.