Në kuadër të transparencës publike dhe vlerësimit të ndikimit mjedisor të Portit të ri tregtar në Porto Romano, Autoriteti Portual ka zhvilluar një dëgjesë publike në ambientet e Universitetit të Durrësit, me pjesëmarrjen e 150 personave, përfaqësues të banorëve të zonës, shoqatave të sipërmarrësve, Bashkisë Durrës, institucioneve qendrore, botës akademike dhe ekspertëve të pavarur të shoqërisë civile.
Pas miratimit të Projekt-fizibilitetit dhe Masterplanit paraprak, dhe pas një serie të gjatë prej më shumë se 200 konsultimesh dhe intervistash sektoriale me grupet e interesit në tetë muajt e fundit, kjo dëgjesë shërbeu për të prezantuar publikisht të gjithë rezultatet e analizës mjedisore dhe impaktin social dhe ekonomik të projektit, në përputhje me standartet ndërkombëtare për projektet e infrastrukturës portuale në Europë.
Kreu i Autoritetit Portual Durrës, Pirro Vengu, sqaroi pjesëmarrësit se ky projekt ambicioz, ka potencialin për të ndikuar pozitivisht në ekonominë e vendit, duke e pozicionuar transportin detar në funksion të eksporteve dhe veprimtarisë prodhuese në Shqipëri dhe rajon.
“Teksa po vijohet me detajimin inxhinierik të projektit, do të sigurohemi që impakti social të jetë minimal. Projektuesit po sigurohen që Porti të ndërtohet larg zonave të banuara dhe në një sipërfaqe ku sot nuk ka as banesa, as aktivitet buqesor dhe as aktivitet ekonomik”, theksoi Vengu.
Detajet teknike të projektit dhe Vlerësimi i Ndikimit Mjedisor dhe Social, u prezantuan nga grupi i ekspertëve të drejtuar nga kompania holandeze Royal Haskoning, të cilët u ndalën në të gjitha masat që do të ndërmerren për të minimizuar ndotjen dhe për të respektuar të gjithë ekosistemet dhe parandaluar cdo problematikë gjatë fazës së ndërtimit. “Plani i veprimit për metodat e ndërtimit të këtij porti siguron marrjen e masave parandaluese për cdo ndikim të mundshëm në faunën, florën dhe ekosistemet ekzistuese në det dhe në tokë, në zonën e zhvillimit të Portit”, theksuan konsulentët e huaj.
Pjesëmarrësit nga media, shoqëria civile dhe bota akademike kërkuan sqarime lidhur me fizibilitetin teknik dhe ekonomik të projektit.
Banorët banorët e zonës shprehën vlerësimin e tyre për këtë projekt të redësishëm, si dhe shqetësimin specifik për pronat që do të preken eventualisht nga procedura e shpronësimit për interes publik. Interesimit të tyre i’u përgjigjen përfaqësues të Agjencisë Shtetërore të Shpronësimeve, ndërkohë që këto konsultime publike do të vijojnë në javët dhe muajt në vijim, për të ezauruar cdo pikëpyetje apo shqetësim të mundshëm të banorëve, në përputhje me procedurat ligjore në fuqi.
Ndërtimi i portit të ri tregtar, i cili ka ngjallur interes të lartë kombëtar dhe ndërkombëtar, synon të përforcojë Durrësin si një pikë strategjike e logjistikës në rajon.