Ka nisur që prej orëve të para të mëngjesit Samiti BE-Ballkani Perëndimor që po mbahet për herë të parë në Tiranë, si pjesë e zbatimit të Agjendës Strategjike të Këshillit Evropian 2019-2024.
Kryeministri Edi Rama ka mirëpritur në hapësirën para hotel Mariot, krerët e Bashkimit Europian, Këshillit të Europës, të Ballkanit Perëndimor dhe të deleguarve të tjerë që do të jenë të pranishëm në këtë samit.
Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel u shpreh para samitit të BE-së me Ballkanin Perëndimor se sot do të nënshkruajnë një marrëveshje për tarifat roaming.
Gjatë fjalës së tij, ai nënvizoi se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në BE.
“Është emocionuese që në këtë rajon të kemi një takim të këtij niveli. Ne jemi shumë të bindur që e ardhmja e Europës dhe fëmijës tanë do të jetë më e begatë me Ballkanin Perëndimor, pjesë të Europës”, u shpreh ai.
Në këtë samit, do të jenë të pranishëm 27 liderë evropianë, shoqëruar nga delegacionet përkatëse, ku katër temat kryesore do të jenë pasojat e agresionit rus në Ukrainë, forcimi i sigurisë dhe ndërtimi i qëndrueshmërisë ndaj ndërhyrjeve të huaja në rajon, sfidat e emigrimit dhe lufta kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar.