Kohët e fundit në pjesën dërrmuese të mediave shqiptare është botuar një artikull mbi origjinën shqiptare të heroit të Argjentinës në botëror, Lionel Messi. Shkrimi me autor Z. Lutfi Dervishi ka patur një jehonë të jashtëzakonshme në hapësirën mbarëshqiptare.
Ai ia ka dalë t’u rezistojë të gjithë verifikimeve dhe testeve që bëhen në këto raste për të shqyrtuar vërtetësinë e argumentave, dhe ka rezultuar i saktë veçanërisht në testin e pagabueshëm të të vërtetës të lexuesit shqiptar. I cili është i famshëm për dyshimet me të cilat pret argumentat e reja që hidhen shpesh herë në mexhelis.
Por, pavarësisht se argumentat që sipas Z. Dervishi, vërtetojnë katërcipërisht origjinën shqiptare të Lionel Messit mund të qëndrojnë, duke u nisur nga mënyra se si ato janë pritur ndër “bashkëkombasit” e tij në brigjet e Adriatikut, Jonit dhe kudo ku ndodhen në botë, sërish ne i kemi dhënë vetes të drejtën për të ruajtur qoftë edhe një grimë të vogël dyshimi mbi vërtetësinë e këtij pretendimi dhe të parashtrojmë disa argumenta përse, Leo Messi, mund të mos ketë fare lidhje me Shqipërinë. Duke marrë përsipër edhe përballimin e ndjenjës së fortë të fajit për zhgënjimin që kjo do të shkaktonte ndër shqiptarët, por ndoshta edhe duke u përpjekur të shpjegojmë përse, në fund të fundit, mos ndarja e të njëjtës kombësi me yllin argjentinas, mund të jetë diçka e mirë për popullin tonë.
Së pari, është vërtetuar se Messi ecën në fushë 70 përqind të kohës, jo për shkak të dembelizmit, që Z. Dervishi në artikullin e tij e kamuflon me fjalë të tjera, duke e nënkuptuar si një karakteristikë të shqiptarëve, por për shkak të largpamësisë me të cilën ndjek lojën. Ish trajneri i tij tek Barcelona në kohët e arta, Bep Guardiola, në një interpretim që u bën shëtitjeve të Messit në fushë thotë se në ato momente “Leo është duke studiuar terrenin, është duke logjikuar dhe vendosur se ku do të gjejë pikën e dobët të kundërshtarit, ku do të godasë pas dhjetë minutash. Dhe e bën me një gjakftohtësi të mahnitshme”. Vini re tre fjalët kyçe: “largpamësi”, “studiuar”, “logjikuar”… dhe përsëriteni origjinën shqiptare të Leo Messit, nëse mundeni.
Së dyti, Leo Messi në ndeshjen e famshme kundër Holandës, ishte duke u “hakmarrë” për një prej miqve të tij më të mirë në jetë, ish futbollistin e Barcelonës, Riquelme. Për ata që nuk e dinë, Van Gaal, trajneri i Holandës kish qenë dikur trajner i Barcelonës. Dhe ia kishte nxirë jetën Riquelmes. Leo Messi pra, nuk shau dhe fyeu sepse dikush po e shihte, por për shkak të besnikërisë ndaj një miku të çmuar, të cilin jo vetëm nuk e kishte harruar, por po bënte të pamundurën për t’i rikthyer dinjitetin pas kaq shumë vitesh. Vini re fjalët kyçe në këtë argument: “bensikëri” dhe “mik”.
Së treti, nuk është e vërtetë që Messi ngre tre gishtat drejt qiellit, duke u lutur për gjyshen e tij arbëreshe. Siç thotë dhe kënga e famshme argjentinase “Muchachos”, arsyeja pse Messi i ngre tre gishtat është shumë më banale, shkon deri në egoizëm: “Quiero ganar la terzera / Quiero ser campeon mundial”,- thotë kënga. “Dua të marr Kupën E TRETË. Dua të jem kampion bote”. Pra tre gishtat i ngre, Z. Dervishi, sepse dëshiron të marrë Kupën e Tretë. E do për vete. Dhe e do për Argjentinën. Se po ta donte për Shqipërinë, do të kishte ngritur vetëm një gisht, pasi siç e dini mirë, Shqipëria nuk ka asnjë Kupë Bote.
Së katërti, argumenti juaj për festimin e golave duke bërë shqiponjën dhe akuzat e pamerituara që hidhni mbi Infantinon si personi që e pengoi, bien, pas disa pamjeve filmike që kanë dalë së fundmi në tik-tok, në të cilat Infantino i kërkon Messit të zgjedhë mes xhubletës dhe bisht-it katariot si veshje për momentin e ngritjes së Kupës, dhe Messi pa u menduar vendos për bisht-in.
Dhe vijmë tek ai që ju e konsideroni si argumentin tuaj më të fortë, dhe i cili ka kontribuar më së shumti për mbështetjen në mënyrë tërësore të tezave të hedhura nga ju Z. Dervishi, mbi origjinën shqiptare të Leo Messit: Ura e Mesit në Postribë. Nuk e di a e bëni qëllimisht ngatërrimin e numrit të harqeve, por disa fshatarë të zonave rrotull kanë shkuar këto ditë dhe i kanë numëruar. Nuk u dalin 10. U dalin 13 harqe. Me këtë numër harqesh, sipas besëtytnive jo vetëm shqiptare, po edhe atyre argjentinase, Leo Messi dhe kombëtarja e tij nuk do t’ia kishin dalë kurrë ta fitonin Kupën e Botës. Ose edhe po ta fitonin, nuk mendoj se avioni i tyre do të kish mundur të rikthehej në Argjentinë.
Së fundi, po ju jap edhe një argument shtesë. Gjatë festimeve madhështore, të papara deri më sot askund që argjentinasit mbajtën për fitoren në Kupën e Botës, Leo Messit nuk ia mbajti që të vazhdonte rrugën në drejtim të turmës që po priste të përshëndeste heroin e vet, por ia mbathi me helikopter, duke u kaluar mbi kokë dhe duke shkuar më pas në shtëpinë e tij në Rosario. Tani, na thoni ju lutem: kush është ai shqiptar, që nuk shkon të futet me kokë mespërmes cilësdo turmë? Ju me siguri do të thoni që ndoshta nuk shkoi sepse nuk i konsideron si bashkatdhetarë, por jo, ne jemi të sigurt se arsyeja qëndron tek dobësia karakteriale e Leo Messit, dobësi që e bën atë të ngjashëm me një shqiptar, sa është e ngjashme nata me ditën.
Prandaj, ne do ju luteshim Z. Dervishi, që të jeni më të kujdesshëm kur luani me ndjenjat e një populli. Të përdorni argumentat historike atje ku është e nevojshme, por pa i shtrembëruar. Sepse me këtë logjikën tuaj, i bie që të jenë të vërteta edhe ato fjalët që qarkullojnë, sipas të cilave mbiemri i Maradonës e ka prejardhjen nga fjala “Mora Dorën”. Se pikërisht për të nderuar këtë shprehje shqiptare prej të cilës buron mbiemri i tij, Diego Armando mori dorën dhe shënoi golin e famshëm me dorë në Botërorin 1986. Duke përjetësuar kështu paraardhësit e tij napoletanë, të cilët sipas po këtyre teorive që qarkullojnë, i paskësh dërguar vetë Gjergj Kastrioti me një mesazh adresuar Mbretit të Napolit.
Por jo, Z. Dervishi. Ne refuzojmë të pranojmë si të vërteta, teori të cilat kanë dështuar në kapërcimin e testeve rigoroze të metodave të verifikimit historik të ngjarjeve dhe personazheve.