Punimet në kantierin e tunelit të Llogarasë janë drejt përfundimit. Lajmin e bëri të ditur kryeministri Rama nëpërmjet një postimi në Facebook duke e bashkëngjitur me disa foto. Rama pohon se në javët e para të vitit 2023 pritet të përfundojnë plotësisht gërmimet për të vijuar më pas me proceset e tjera. Kreu i qeverisë thekson se do të jetë një vepër e rëndësishme infrastrukturore.
“Kantieri i tunelit të Llogarasë, ku vetëm në 13 muaj nga momenti i nisjes së punimeve, puna ka avancuar ndjeshëm në 5.5 km hapje tuneli nga 6 km totali, çka do të thotë se kanë mbetur 500 metrat e fundit
Në javët e para të 2023 pritet të përfundojnë plotësisht gërmimet për të vijuar më pas me proceset e tjera të kësaj vepre kaq të rëndësishme infrastrukturore, e cila do të shkurtojë ndjeshëm kohën e udhëtimit drejt bregdetit të jugut, duke rritur njëkohësisht parametrat e sigurisë rrugore.”- shkroi Rama.
Punimet kanë nisur në fund të Nëntorit të vitit të kaluar dhe pritet të përfundoj ndërtimi në vitin 2024. Ky investim kushton afro 140 milionë euro, dhe kjo vepër konsiderohet si ndër më të rëndësishmet infrastrukturore për jugun e vendit, që pritet të shkurtoj distancën nga Dukati në Palasë nga 30 minuta në vetëm 7 minuta.
Ky tunel pritet të ketë një impakt të rëndësishëm në zhvillimin e turizmit të jugut të Shqipërisë.