Anëtari i Partisë Demokratike të Rithemelimit në Kurbi, Van Rica, i cili qëlloi me armë zjarri pas një konflikti në selinë e kësaj force politike, do të hetohet me masën sigurisë detyrim paraqitje.
Ai u njoh këtë të premte me masën e sigurisë në Gjykatën e Kurbinit dhe prokurorja Matilda Fetahu, kishte kërkuar që të qëndrojë në burg 45 ditë për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, “Kanosja” dhe “Prishja e qetësisë publike”.
Por, pasi dëgjoi palët, gjyqtari Olti Skrame vendosi që ta lirojë nga qelia 53-vjeçarin Van Rica, me argumentin se armën e kishte pasur me leje, duke qenë se ishte përgjegjës i një policie private.
Ndërkohë, vetë i akuzuari nuk ka folur në lidhje me ngjarjen, por vetëm avokati i tij, Pashk Gjaci, i cili pretendoi se klienti i tij ishte i pajisur me armë me leje dhe kemi të bëjmë vetëm me prishje të qetësisë publike.
Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së hënës gjatë një takimi të Partisë Demokratike të Rithemelimit, ku Van Rica, i cili mbështeste kandidatin Edmond Shkoza, kishte kërkuar anëtarësimin e disa simpatizantëve, por kjo është kundërshtuar nga nënkryetari i degës së Partisë Demokratike të Rithemelimit, Kastriot Marku, me pretendimin se kishte përfunduar afati i anëtarësimeve.
Në debat e sipër Van Rica ka qëlluar me armë zjarri pistoletë në korridoret e zyrave të Partisë Demokratike dhe më pas është larguar, por fatmirësisht nuk pati persona të lënduar.