Kryeministri Edi Rama në Ditën e Rinisë ka zgjedhur vargjet e poetit të madh Migjeni për të përkujtuar 8 dhjetorin.
“Mirëmëngjes, dhe me vargjet e një kolosi të madh të letrave shqipe, në këtë të Ditë të Rinisë, ju uroj të gjithëve t’ia kaloni sa më mirë, ndërsa ti, “Rini, thueja kangës ma të bukur që di!
Thueja kangës sate që të vlon në gji.
Nxirre gëzimin tand’ të shpërthejë me vrull…
Mos e freno kangën! Le të marri udhë.
Thueja kangës, rini, pash syt e tu…
Të rroki, të puthi kanga, të nxisi me dashnu
me zjarrm tand, rini… Dhe të na mbysi dallga prej ndjenjash të shkumbzueme q’i turbullon kanga.
Rini, thueja kangës dhe qeshu si fëmi
Kumbi i zanit të përplaset për qiellë
dhe të kthejë prap te na – se hyjt ta kanë zili
e na të duem fort si të duem një diell.
Thueja kangës, Rini! Thueja kangës gëzimplote!
Qeshu, rini! Qeshu! Bota asht e jote”
Sot shënohen 32 vite nga Lëvizja Studentore e dhjetorit, që njihet si ndryshe si Dita Kombëtare e Rinisë. Prej vitit 2009, me vendim të marrë nga Kuvendi i Shqipërisë, kjo datë përkujtohet si festë kombëtare në nderim të të gjithë studentëve të dhjetorit 1990 dhe gjithë rinisë shqiptare.
Më 8 dhjetor 1990, një grup studentësh e pedagogësh të Universiteteve të Tiranës, u bënë iniciatorë e protagonistë të kthesës së madhe historike, protestave paqësore që sollën rënien e sistemit komunist dhe lindjen e demokracisë.
Lëvizja Studentore e vitit 1990 është e vetmja Lëvizje paqësore që ndryshoi historinë e Shqipërisë.