Kryeministri Edi Rama, në darkën e fundvitit me përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë, vlerësoi se “urat e bashkëpunimit me Emiratet e Bashkuara Arabe, me Arabinë Saudite dhe Azerbajxhanin u forcuan shumë këtë vit”. “Dua të falënderoj nga zemra udhëheqësit e këtyre vendeve, të cilët jo vetëm më kanë ofruar me bujari miqësinë e tyre të veçantë, por kanë manifestuar përveç se me fjalë, edhe me vepra interesin e tyre të mirëfilltë për t’i sjellë marrëdhëniet e tyre me Shqipërinë në një nivel tjetër. Jam më shumë se besimplotë se Marina madhështore e Durrësit është vetëm hapi i parë konkret në një rrugë planesh të mëdha, ku po punojmë së bashku në fushën e energjisë, turizmit dhe tregtisë”, tha ai.
Kryeministri vlerësoi po ashtu se “shëndeti i raportit tonë me BE-në kurrë nuk ka qenë më mirë”. “Një tjetër ambasador ishte me ne vitin e kaluar, një mik i madh i këtij vendi që përfaqëson pikëmbërritjen tonë, Bashkimin Europian, miku ynë i mirë Luigi, i cili nuk mund të zëvendësohej sot nga pasardhësja e tij e përkushtuar, Christiane, për shkak të një pamundësie të përkohshme shëndetësore. I uroj shërim sa më të shpejtë, por ajo mund të pushojë dhe të mos shqetësohet, sepse shëndeti i raportit tonë me BE-në kurrë nuk ka qenë më mirë”, tha ai.
Kryeministri tha se “nuk ka asgjë më të mirë sesa të festosh miqësinë”. “Është vërtetë diçka që të ngroh zemrën të kuptosh se miqësitë e Shqipërisë janë rritur e janë bërë më të forta, por po kështu është po njësoj e vështirë që t’u japësh të gjithë miqve të pranishëm këtu, hapësirën e merituar në një fjalim festiv si ky”, tha Rama.