Britania e Madhe ka dështuar për vite të tëra të marrë seriozisht çështjen e rritjes së numrit të azilkërkuesve, pavarësisht thirrjeve të përsëritura për ta bërë këtë, tha kryeministri shqiptar Edi Rama, duke akuzuar qeverinë britanike se po përpiqej të krijonte një narrativë që fajësonte vendin e tij.
“Politikat britanike kanë çuar në këtë turp”, tha sot Rama, në një intervistë në zyrën e tij në Tiranë për Andrea Dudik dhe Rosalind Mathieson. “U takon politikanëve të Britanisë së Madhe të qeverisin vendin e tyre, të mbyllin boshllëqet në politikë dhe të merren me grupet kriminale që i shfrytëzojnë ata për të lehtësuar migrimin nga kombi ballkanik“, shtoi ai. BM po përballet me një rritje të numrit të emigrantëve që kalojnë La Manshin me varka të vogla, të cilën sekretarja e Brendshme, Suella Braverman e përshkroi në tetor si një “pushtim në bregdetin tonë jugor”.
Shqiptarët përbëjnë më shumë se një të tretën e 33 000 të ardhurve në nëntë muajt e parë të vitit dhe zyrtarët ia atribuojnë këtë bandave kriminale shqiptare që vendosen në Francën Veriore. Por, Rama argumentoi se është e padrejtë nga BM të sugjerojë se bandat që vepronin si ndërmjetës përbëheshin nga shqiptarë duke thënë se ata janë kriminelë nga shumë vende. “Nuk është e zgjidhshme nëse ata ushqejnë veten dhe njerëzit me një narrativë se është një grup shqiptarësh që po i bën të gjitha këto”, tha ai. “Të trajtosh këta fëmijë të varfër, të cilët po kalojnë La Manshin, si Ragnar Lodbrok dhe vikingët që pushtojnë Anglinë Lindore, kjo është qesharake”, thekson ai.
Bandat kriminale
“Shqiptarët kërkojnë azil politik jo sepse përballen me persekutim në vendin e tyre, por sepse është një rrugë drejt një tregu pune që i përjashton ata“, tha Rama, i cili është kryeministër i vendit prej nëntë vjetësh. Ndërsa vendi ballkanik me 2,8 milionë banorë mori statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian këtë vit, qytetarët e tij kanë nevojë për vizë për të hyrë në BB. Dhe, pas Brexit, aftësia e punëtorëve për të lëvizur brenda dhe jashtë BM me lehtësi ka rënë më tej.
Në tetor, komandanti ndaj Kërcënimit Klandestin të La Manshit i BM, Dan O’Mahoney, tha se midis 1% dhe 2% e të gjithë popullsisë së rritur mashkullore të Shqipërisë kishte udhëtuar në BM me varka të vogla. “Rritja ka qenë eksponenciale dhe ne mendojmë se kjo është kryesisht për shkak të faktit se bandat kriminale shqiptare kanë fituar një bazë në veri të Francës dhe kanë filluar të lehtësojnë një numër shumë të madh emigrantësh”, tha ai për Dhomën e Komuneve. Rama tha se “edhe pse është vonë, është mirë që të trajtohet kjo çështje në sistemin britanik dhe të mos jepet azil politik në përmasa të tilla që të duket sikur njerëzit po ikin nga një luftë”.
“Situata të çmendura”
“Në terma afatgjatë, do të kishte kuptim që BM të hapte tregun e saj të punës për punëtorët nga Shqipëria, pasi kjo do të garantonte lëvizjen e lirë të njerëzve dhe do t’i kursente ata nga arritja atje në “situata të çmendura” të tilla“, tha kryeministri. Ai përshëndeti një ide të ngritur gjatë fundjavës nga sekretari i Emigracionit në BM, Robert Jenrick, se kjo do t’i ndalonte shqiptarët të aplikonin për azil politik, duke qenë se vendi i tyre është demonstrativisht i sigurt.
Rama tha se e ka diskutuar këtë çështje me shumë kryeministra britanikë, përfshirë Rishi Sunak. Duke e quajtur të mirë bisedën e javës së kaluar me kryeministrin aktual, ai megjithatë shprehu dyshime nëse do të dalin shumë prej saj, pasi kishte pasur diskutime të ngjashme me liderë të tjerë për të cilët tha se më pas nuk arritën të ndërmarrin veprime. “Lëvizja kryesore është aftësia për të synuar bandat ndërkombëtare që po organizojnë dhe përfitojnë nga rritja“, tha ai, duke shtuar se vendet duhet të punojnë së bashku me shpejtësi për ta bërë këtë. “Këto janë rrjete ndërkombëtare dhe jo Netflix”, tha Rama. “Ndërsa Bashkimi Evropian i shteteve lufton me shumë procedura, veto dhe sfida, Bashkimi Evropian i kriminelëve punon shumë, me efikasitet, gjatë gjithë ditës“, thotë ai.