Filmi i njohur “Koncert në vitin 1936” tashmë është restauruar dhe mbrëmjen e së martës pati premierën, pas rikthimit të ngjyrave. Për botën e kinemasë kjo është një ngjarje, e më shumë për artistët e mirënjohur që me pamjet e reja filmike shohin vetën, njëjtë si dikur. Aktorja e mirënjohur Margarita Xhepa, nuk i fsheh emocionet dhe as nostalgjinë për një nga filmat e dashur të saj.
“Prej filmit të rinovuar, ka një dritë, ka një shkëlqim po ta shikoni, krahasimi është i mrekullueshëm. Roli im ka një gjë që isha e martuar, ka dhe një vajzë. Pianon e mësova disa momente që mund t’i bie. Ne e kemi bërë gjysmën e jetës në familje, por gjysmën e jetës e kemi bërë me personazhet”, u shpreh aktorja.
Në një kënd ku janë vendosur imazhet se si ishte dhe është filmi, edhe Mirush Kabashi shikon me kërshëri ndryshimet në filmin e tij të parë që pati në Kinostudio duke kujtuar edhe rolin e tij.
“Bëra një provë shumë të rrezikshme, domethënë ta trajtoja jo vetëm për në karakter, por ta trajtoja edhe gagaç. Nuk qe vetëm për ta tipizuar si të thuash, personazhin, por edhe për të treguar që në atë kohë, diçka nuk shkonte, nuk rridhte”, tha Kabashi.
Me regji të Saimir Kumbaros dhe skenar të Kiço Blushit, filmi i vitit 1978 kthehet në kohën e monarkisë ku lufta mes zakoneve të vjetra dhe atyre të rejave ishte e fortë.
“Ishte roli, por roli ishte bashkë me aktoren. I kemi përjetuar ato gjëra, i mbanim mend ato zakone, atë fanatizëm do të thoja. Ishte një progres që në vetvete ne sigurisht që na sillte gëzim”, u shpreh aktorja Xhepa.
Pas restaurimit, tanimë filmi ka mundësinë të shfaqet në kinema dhe të rrugëtojë edhe në festivalet kinematografike ndërkombëtare.