Samiti i BE dhe Ballkanit Perëndimor që pritet të mbahet më 6 dhjetor në Tiranë, është i një rëndësie shumë të veçantë, thotë profesor Rexhep Qosja. Profesor Qosja thekson se është i rëndësishëm jo vetëm për Shqipërinë, ku mbahet ky samit por edhe Kosovë. Më tej zoti Qosja, shpreh shqetësimin për protestën që Sali Berisha ka njoftuar se do të mbajë njëkohësisht me zhvillimin e këtij samiti, duke thënë se do ta dëmtojë këtë ngjarje historike për Shqipërinë.

“Samiti i BE dhe Ballkanit Perëndimor është shumë i rëndësishëm. Së pari shpreh një besim ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve në përgjithësi. E dyta merret me problemet që janë shumë të rëndësishme për Shqipërinë, Kosovën dhe për shqiptarët në përgjithësi, do të trajtojë problemet e Ballkanit Perëndimor, do i mendojë, do i trajtojë do të marrë masat për të penguar atë që po synon Rusia dhe ajo që po synon Rusia është kontrolli i Ballkanit Perëndimor dhe çështje të tjera shumë të rëndësishme. Por shpresojmë që mund të mbizotërojë arsyeja. Ku mund të dëgjohet sot në Evropë, në Perëndim, ku mund të dëgjohet sot në botë një gjuhë e tillë për kundërshtarët politikë. Kjo gjuhë e tillë që e dëgjojmë, për të cilën e sigurtë informojnë shtetet e veta përfaqësuesit diplomatikë në Tiranë dhe të tjerë që jetojnë ose vijnë në Shqipëri, e pengon mirëkuptimin e faktorëve ndërkombëtarë për Shqipërinë dhe mirësjelljen e tyre ndaj qeverisë dhe ndaj Shqipërisë, biles edhe ndaj Kosovës dhe ndaj shqiptarëve në përgjithësi. Me të i bëhet shërbim shumë i rëndë, i padëshiruar kombëtar e ndërkombëtarë Shqipërisë por edhe Kosovës. Shumëkush e pret me shqetësim protestën e 6 dhjetorit.

Ne duhet të kemi shumë mirëkuptim dhe shumë nderim, ta ndiejmë veten edhe në Shqipëri edhe në Kosovë shumë të kënaqur për mbajtjen e këtij samiti të BE-së në Tiranë”, u shpreh akademiku Rexhep Qosja në Dritare TV.