Procesi i rindërtimit është përmbyllur plotësisht në zonën e Baldushkut në Tiranë. 28 familjet e fundit kanë marrë sot banesat e reja në Baldushk, ndërsa i pranishëm ishte edhe kryeministri Edi Rama.

“Ka qenë një punë jo e lehtë. Janë bërë investime të mëdha dhe kanë ecur me ritme të ndryshme për shkak se edhe konteksti ka qenë i ndryshëm. Është kënaqësi që para një tjetër viti të ri në zonën e Baldushkut përmbyllet plotësisht procesi i rindërtimit. Vitin e ri do ta festojnë përfundimisht në shtëpinë e tyre. Provat e prekshme siç janë këto shtëpi që nuk janë projekte, nuk janë fotografi, video, por shtëpi reale, tregojnë atë që ne jemi zotuar që në krye të herës, që të gjithë ata që humbën shtëpitë në tragjedinë e madhe të tërmetit do të rimarrin shtëpi më të forta më të bukura edhe më të mëdha dhe Akoma më e rëndësishme do i marrin pa paguar asnjë qindarkë dhe pa i pasur borxh asnjë qindarkë shtetit. Ky është program i rindërtimit në Europë”, tha Rama.