Pas Samitit të 6 Dhjetorit në Tiranë ku liderët e Bashkimit Europianë por dhe ata të Ballkanit perëndimor u mblodhën në kryeqytetin shqiptar, të shumta kanë qenë reagimet pozitive nga udhëheqësit kryesorë pjesëmarrës në këtë Samit.

Komisioneri Varhelyi: Ne mbështesim BP për të përballuar krizën energjetike. Ne shpallëm një paketë Mbështetje për Energjinë prej 1 miliard euro. Ballkani Perëndimor mund të jetë një qendër energjie: një pikë hyrjeje dhe tranziti. Kjo është arsyeja pse ne mbështesim ndërlidhjet dhe një terminal të ri GNL (gaz natyror i lëngshëm) për Ballkanin Perëndimor që do të ndërtohet.

Macron në Twitter: Në një frymë uniteti dhe solidariteti, ne, liderët e Bashkimit Evropian dhe të Ballkanit Perëndimor, jemi mbledhur sot në Tiranë. Kam ardhur për të riafirmuar angazhimin e Francës ndaj partnerëve tanë në rajon.

Kancelari Scholz: Gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor janë pjesë e familjes evropiane. Ky sinjal buron nga samiti BE-Ballkani Perëndimor, ku mora pjesë sot së bashku me homologët e mi nga vendet e tjera anëtare të BE-së. Është mirë që ky takim i rëndësishëm u organizua për herë të parë në vetë rajonin – në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë. Pothuajse 20 vjet më parë, BE i tregoi Ballkanit Perëndimor perspektivën e anëtarësimit. Por ne nuk kemi arritur aq larg sa mendonim në atë kohë. Prandaj është e rëndësishme që ky proces i anëtarësimit të fitojë tani një shtysë të re. Sigurisht, si BE, ne kemi pritshmëri të qarta edhe nga vendet e Ballkanit Perëndimor. Për shembull, ne presim që vendet e anëtarësimit të përafrohen me politikën e sanksioneve të Bashkimit Evropian ndaj Rusisë. E kam thënë shumë qartë në Tiranë. Samiti i sotëm ishte një angazhim për zgjerimin e Bashkimit Evropian. Një hap i rëndësishëm i ndërmjetëm për vendet e Ballkanit Perëndimor – dhe një shenjë shprese.