Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se “ideja hegjemoniste” e Serbisë për vendosjen e trupave në Kosovë, ka marrë fund më 12 qershor 1999, ditën kur kanë hyrë në Kosovë trupat paqeruajtëse të NATO-s.
Gjatë fjalimit vjetor para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, Osmani tha se veriu i Kosovës, i banuar me shumicë serbe, “vazhdon të jetë sfidë, për shkak të pretendimeve territoriale të Serbisë”.
Ajo u zotua se institucionet e Kosovës janë të vendosura për të ofruar siguri për qytetarët e Kosovës që jetojnë në këtë pjesë, teksa tha se “bandave kriminale” nuk po u pëlqen vendosmëria e institucione për sundim të ligjit.
“Ata do të përballen me drejtësinë për veprat penale kundër rendit kushtetues dhe kërcënimit dhe frikësimit të qytetarët”, tha Osmani.
Presidentja e Kosovës porositi se procesi i dialogut me Serbinë duhet të përqendrohet në njohje të ndërsjellë, që sipas saj do të ishte garanci për paqe të qëndrueshme dhe afatgjatë.
Fjalimi vjetor i Osmanit vjen në të njëjtën ditë kur presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka paralajmëruar se do t’i drejtohet KFOR-it me kërkesë për dërgimin e deri 1.000 trupave ushtarake dhe policore në Kosovë.