Një 56 vjeçar nga fshati Zall Lusen në Kukës është vënë në prangat e policisë pasi ka goditur me mjete të forta të bijën 19 vjeçare. Policia bën me dije se në kërkim është shpallur djali i tij 17 vjeçar, i cili për të parandaluar dhunën e mëtejshme ndaj së motrës, ka rrahur më pas të atin.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kukës, pas marrjes së njoftimit se në fshatin Zall Lusen, po ndodhte një konflikt në familjen e shtetasit E. P., menjëherë organizuan operacionin policor të koduar “Lusen”, për parandalimin e përshkallëzimit të mëtejshëm të dhunës.
Falë veprimeve të shpejta dhe profesionale, shërbimet e Policisë arrestuan në flagrancë shtetasin E. P., 56 vjeç, banues në fshatin Zall Lusen, për veprat penale “Dhuna në familje” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Shtetasi E. P. ka ushtruar dhunë fizike dhe ka goditur me mjete të forta vajzën e tij 19 vjeçe, për motive të dobëta. Më pas, djali 17 vjeç ka ndërhyrë dhe e ka goditur me mjete të forta babanë e tij, për të parandaluar dhunën e mëtejshme ndaj motrës. Në vijim të veprimeve u shpall në kërkim 17-vjeçari, për veprën penale “Dhuna në familje”.
Gjatë kontrollit në këtë banesë, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një armë zjarri automatik dhe një karikator me 30 fishekë. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kukës, për veprime të mëtejshme.”, njofton policia.