Shqiponja është kthyer në makth në Serbi, imazhi i Xhakës dhe Shaqirit duke festuar me simbolin shqiptar 4 vite më parë vijon të përndjek serbët. Fati dhe goglat e deshën që Serbia të përballet sërish me Zvicrën, historia përsëritet sërish në një Botëror.
Zvicra dhe Serbia luajnë në një sfidë teke fatin e tyre në fazën e grupeve, luhet për vendin e dytë, në një kohë kur Brazili mbretëron i qetë në krye. Kjo është një sfidë aq speciale për dyshen Xhaka-Shaqiri sa ky i fundit kërkon me insistim të jetë në fushë pavarësisht se nuk është në kushte perfekte.
Zvicrës së tij i mjafton dhe një pikë për të kaluar më tej, por kjo është një sfidë ku vështirë se Xhaka e Shaqiri do të luajnë me tru. Ndjen peshën e këtij takimi edhe trajneri i Zvicrës, Murat Yakin:
“Duhet të jemi më efikas, duhet të jemi më dominues, duhet të bëjmë ndeshjen tonë dhe të sigurojmë kualifikimin. Duhet t’i kontrollojmë emocionet, kemi fatin në dorën tonë, kjo është pjesa më e bukur e këtij takimi”, theksoi Murat Yakim në konferencë për shtyp.
Nën presion është pa diskutim trajneri i Serbisë, Dragan Stojkovic: “Që në fillim e dinim se Brazili ishte favorit absolut, e dinim që duhet të luftonim për vendi ne dytë. E dinim gjithashtu që ndeshja kryesore do të ishte kjo me Zvicrën. Kemi parë shumë surpriza në këtë Botëror, por ne jemi gati për këtë përballje”, theksoi Stojkovic i cili shtoi ndër të tjera se Dusan Vlahovic është gati për ta nisur këtë sfidë nga minuta e parë.