Në Angli, opinioni sportiv, mediat, tifozët e thjeshtë, të gjithë kanë një pyetje në mendje: Si do ta ndalim Mbappe? Anglia po përgatitet për sfidën kundër Francës, një përplasje totale mes dy “bigëve” të futbollit evropian, njëkohësisht, dy nga ekipet favorite për të triumfuar në Katar.

Kjo është një prove e madhe për mbrojtjen e Southgate, presioni është i madh, pasi përballë do të kenë lojtarin më të mirë në këtë Botëror, të paktën deri më tani, autorin e 5 golave dhe dy asiste, Kylian Mbappe.

Në katër ndeshje, “tre luanët” kanë pësuar vetëm dy gola, në sfidën e parë kundër Iranin, por asnjë nga rivalët nuk ka qenë në lartësinë e Francës, kampionëve në fuqi. Të përditshmet britanike, të gjitha në sinkron kanë përzgjedhur dy të ngarkuarit me këtë çështje, Walker dhe Maguire:

“Nuk do shtrojmë tapetin e kuq për Mbappe”, shkruan Mirror në faqen e parë duke iu referuar deklaratës së Maguire i cili shprehet i bindur se Anglia mund të fitojë Botërorin.

“Nuk do të lejoj Mbappe të më vras ëndrrën”, u shpreh mbrojtësi tjetër i “tre luanëve”, Kyle Walker duke shtuar: “E di se çfarë duhet të bëj për ta ndalur, por sigurisht është më e thjeshtë për ta thënë se sa për të bërë. Kam luajtur kundër tij disa herë me Man.City, jam përballuar gjithashtu me sulmues të fortë në Angli. Kush është më i shpejtë? Të shtunën do ta mësojmë, shpresoj të jem unë”, u shpreh ndër të tjera Walker.