Nga Mustafa Nano/
Pas rrahjes së Berishës, kam dëgjuar shumë vetë të thonë: Nuk qëllohet ashtu një plak. Lënë të kuptohet pra se nuk e kanë me dhunën. Nuk është dhuna që i shqetëson. Me fjalë të tjera, e ushtruar mbi njerëz, që nuk janë pleq, apo nuk janë pjesëtarë të ndonjë kategorie tjetër vulnerabël, dhuna është ok.
Për shembull, dhuna kafshërore që u ushtrua ndaj agresorit të Berishës u injorua nga të gjithë. Ndoshta sepse “nuk ishte plak”!!! Unë jam i skandalizuar që nuk u vu re se e vetmja dhunë barbare dje ishte ajo mbi agresorin e Berishës. Pamjet televizive të më shumë se dhjetë burrave që bënin vetëgjyqësi me robin e kapur në flagrancë ma sillnin Shqipërinë si Afganistanin e qeverisur nga talebanët.
Por më shumë sesa pamjet ishte edhe injorimi që publiku u bëri atyre pamjeve. Nuk doli askush të thoshte: “Pse ishte nevoja të dhunohej? Pse nuk e dorëzuan në polici? Pse u çua më së pari në selinë e PD-së? Pse shpura që mbron një personalitet politik duhet ta shtrijë funksionin e vet jo vetëm e thjesht te ruajtja e trupit të boss-it të tyre, por edhe te linçimi i fajtorit?” Më erdhi keq që këto pyetje nuk i dëgjova të bëheshin. E vetmja gjë që e dëgjova deri në mërzi ishte fraza: Nuk mund të sillemi ashtu me një plak.
Hej, njerëz! Dhuna është e gabuar. Dhuna është një nga gjërat më të gabuara në këtë botë. Prandaj, duhet dënuar qartë e prerë dhuna, dhuna pavarësisht se kundër kujt ushtrohet, dhuna pavarësisht në çfarë forme shfaqet, dhuna pa “nëqoftëse” e “por”.
Nëse do t’i mbaheshim këtij parimi, nëse këtë parim do ta kishim për zemër, Sali Berisha, frymëzuesi i madh dhe i pakonkurueshëm i dhunës në Shqipërinë postkomuniste, frymëzuesi i dhunës në të gjitha kuptimet, trajtat e përmasat, Sali Berisha pra do të kishte qenë një personazh me ndikim periferik në shoqërinë e politikën shqiptare. Dhe as që do kujtohej ndonjë rob, qoftë i shëndetshëm apo i sëmurë mendërisht, të merrej me të.