Në takimin e fund-vitit me ambasadorët e akredituar në Tiranë, kryeministri Rama u ndal gjatë pasojat që ka prodhuar, lufta në Ukrainë e cila solli një krizë të fortë energjetike. Sikur mos të mjaftonte tha kryeministri Shqipëria u përball me një sulm kibernetik urdhëruar nga Irani duke çuar në ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me Teheranin.
Ndërsa për zhvillimet e tensionuara Prishtinë-Beograd kryeministri tha:
“Nuk është një fundvit i mirë për procesin e normalizimit midis Kosovës dhe Serbisë. Rritja e tensioneve në veri të Kosovës është, jo vetëm e padobishme, por thellësisht shqetësuese. Është e pabesueshme që na duhet të merremi vazhdimisht me shfaqjen e barrikadave, prapakthime në procesin e normalizimit dhe ekipe zjarrfikësish të SHBA dhe BE që vrapojnë të shpëtojnë makinerinë e dialogut nga flakët e një retorike të rënduar politike”.
Kryeministri Rama ishte i prerë ne qëndrimin e tij kur theksoi se Kosova nuk do të jetë kurrë më nën ligjin e Beogradit.
“Së fundmi, dëgjuam deri për kërkesa të bëra NATO-s për të dërguar trupa serbe në veri të Kosovës, për të mbrojtur serbët etnikë. E kuptoj që kjo mund të jetë një tjetër shashkë speciale e retorikës politike, por është po kaq surreale sa do të ishte nëse Kosova do t’i kërkonte NATO-s të dërgonte trupa shqiptare në Serbinë jugore për të mbrojtur shqiptarët etnikë. E gjitha kjo është tejet larg asaj për të cilën kemi nevojë. Kemi hyrë në dekadën e tretë qysh kur Kosova u lirua një herë e përgjithmonë nga Beogradi”
Ç’tensionimin e situatës kryeministri Rama e shikon tek Dialogu dhe Pjesa tjetër është thjeshtë politikë e keqe.