Pas një nate me sulme të armatosura, situata në veriun e banuar kryesisht me serbë ka qenë e qetë të premten gjatë ditës. Banorë shqiptarë të veriut thonë se sulmet e ditëve të fundit kanë shtuar pasigurinë, për çka kanë nisur edhe zhvendosjet për në jug. E, serbët thonë se ndihen të provokuar nga shtimi i forcave policore.
Policia e Kosovës ka shtuar prezencën në lokacionet që këtë javë ishin cak i sulmeve dhe shpërthimeve në veri të Mitrovicës, të banuar kryesisht me serbë. Ata janë më të numërt në lagjet e banuara me shqiptarë.

Një ditë pas vendimit të MPB-së për shtimin e pjesëtarëve të policisë së Kosovës në veri, patrullimeve të policisë janë parë edhe në afërsi të “Tre Rrokaqiejve”, zonë e banuar nga shqiptarët.

Zbarkimit të policisë në veri i janë kundërvënë me sulme. Një pjesëtar i Policisë u plagos me armë zjarri në fshatin Serbovc të Zveçanit, nga një automjet i tipit “Audi”, ngjyrë hiri, me targa ilegale KM.

Learn moreYou can skip this ad in 3Advertisement
E, në orët e hershme të mëngjesit një ekip i gazetarëve u sulmua nga persona të maskuar në veri të Mitrovicës.

Ndonëse situata në veri të premten ka qenë e qetë, pjesëtarët e Policisë kanë patrulluar përgjatë Lagjes së Boshnjakëve, dy ditë pasi u hodhën dy shok-bomba nga persona të panjohur. Këtu kanë patrulluar edhe pjesëtarë të misionit të EULEX-it.

Banorë shqiptarë të veriut thonë se sulmet e ditëve të fundit kanë shtuar pasigurinë. Një nga ta tha në kushte anonimiteti se një fqinj i tij me familje është zhvendosur në jug, sikurse ka edhe të tjerë që kanë lëshuar banesat.

Një banor shqiptar thotë të jetë e domosdoshme prania më e madhe e policisë.

“Normalisht që prezenca e policisë është e domosdoshme sepse mos të ishte policia as ne nuk kishim guxuar dhe sigurisht që s’kishim qëndruar… Unë nuk ndaj tash pozitë dhe opozitë, ata që bëjnë tash ndarjen, kanë bërë tradhti kombëtare… Është budallallëk të mendosh bile (mos të mbahen zgjedhjet), këta këto mundësi i kanë me bë pengesa, jo më shumë dhe nuk kam frikë se do të ketë ndonjë viktimë apo diçka e ngjashme”, ka thënë Ali Mehmeti.

Por, për një banor serb, rritja e prezencës së policisë përbën provokim.

“Nuk është mirë që Policia e Kosovës është këtu. Të ndalojnë të provokojnë ndalin gra mendojë se i bëjnë qëllimshëm, por arsyet nuk i di. Nuk e di pse të na provokojnë”, ka deklaruar Zhivko Miloviq.

Por, nëpërmjet një komunikate për media, Policia ka theksuar se do të vazhdojë me angazhimet e saja në interes të mbajtjes së rendit dhe sigurisë publike, si dhe mbrojtjes së rendit kushtetues të Republikës së Kosovës.

Përkundër këtij zotimi, KOHA nuk ka parë patrullime rrugëve të veriut të Mitrovicës, në zonat e banuara kryesisht me serbë.

Derisa pjesëtarë të KFOR-it e të EULEX-it kanë patrulluar mbi urën kryesore të Ibrit, në rrugët që qojnë në qendër të veriut të Mitrovicës nuk janë parë pjesëtarë të policisë e as të misioneve ndërkombëtare.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.