‘Shfaqje’. Kështu e cilësoi kryeministri Edi Rama vendosjen e barrikadave në veri të Kosovës, tërheqja e të cilave ka nisur që në mëngjesin e sotëm. Me nota ironie, kreu i qeverisë u ndal edhe tjetërsimi i termit ‘barrikada’, ku në këtë ‘revoltë’ u përdor si mjet proteste paqësore nga serbët. Rama u ndal edhe tek partnerët tanë strategjik, SHBA dhe BE prej të cilëve kërkoi që të kuptonin se barrikadat nuk mund të përdorën asnjëherë si mjete paqësore.

Më tej, kryeministri u shpreh se pavarësisht se situata kulmoi në deklarata armiqësore, u nxitën tensione dhe për më tepër manovrat ushtarake patën më shumë hov, situata mbetet e njëjtë për integritetin e Kosovës, si para tensioneve e si pas tyre. Për Ramën, deri në momentin që ‘përgjigjet’ e së shkuarës do të jenë “busulla” e zgjidhjeve të ngërçeve të së tashmes nuk do të ketë kurrë asgjë të re! Dialogu, diplomacia dhe integriteti i Kosovës do të jetë gjithnjë ‘në vend numëro’ për aq kohë sa përdoret retorika e së shkuarës, nënkupton kryesocialisti.
“Asgjë e re, shfaqja zgjati ca më shumë, tensioni u ngrit ca më lart, fjalët u këmbyen me ca më shumë zjarr, manovrat ushtarake patën ca më shumë hov, po fundi qe po i njëjti dhe të gjithë u kthyen në shtëpi, sekush me fitoren e vet me vete si gjithmonë!

Ah po, diçka e padëgjuar ndodhi! Doli kuptimi i ri i barrikadës, e cila pas 434 vjetësh hyri në listën e mjeteve të protestës paqësore me bekimin e BE dhe të SHBA! Shpresojmë në mirëkuptimin e aleatëve tanë strategjikë për të mos qenë dakord në këtë pikë. Po fare!
Pyetja mbeti po ajo që ishte përpara këtyre barrikadave paqësore e deklaratave armiqësore! Dhe deri kur përgjigjet e ndryshme të nisen po njësoj nga e shkuara, pyetja do të mbetet po aty edhe pas shfaqjes së rradhës, kur barrikadat të thyejnë paqësisht monotoninë e hiçzgjidhjes!”- shkroi Rama.
Barrikadat nisën që prej datës 10 dhjetor, ende nuk dihet nëse kjo është revoltë e grupeve të qytetarëve serb apo e grupeve kriminale të dirigjuar nga Aleksandër Vuçiç. Nisur nga këto kufizime në veri, deklaratat politike të dy liderëve në Kosovë e Serbi nuk kanë qenë të qeta, madje qysh prej kohës kur janë vendosur, barrikadat dhe kufizimet janë shtuar.