Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, priti në zyrën e tij serbin Nikola Nedeljkoviç, i cili u lirua pas gjashtë muajsh burg në Prishtinë.
Ai u dënua nga drejtësia në Kosovë pasi gjatë një tubimi në Gazimestan lëshoi thirrje ofenduese dhe nxiti dhunë ndëretnike duke bërë thirrje për “vrasjen e shqiptarëve”.
Më 6 shtator, 20-vjeçari nga Beogradi u dënua me 8 muaj burg pasi u shpall fajtor për akuzën e “nxitjes së urrejtjes dhe intolerancës etnike”, por Gjykata e Apelit në Prishtinë ia uli dënimin me dy muaj.
Vuçiç nuk dënoi gjuhën e përdorur nga serbi kundër shqiptarëve, përkundrazi e shpërbleu me një vend pune.
Fillimisht i ofroi angazhim vullnetar në Zyrën për Kosovën në qeverinë e Serbisë dhe një variant tjetër në Ministrinë e Shkencës, Teknologjisë dhe Zhvillimit, por që Nedeljkoviç, zgjodhi të parën.
Ndër të tjera, presidenti serb tha se 20-vjeçari do të rezultojë i pastër dhe pa asnjë dënim brenda territorit të Serbisë.