Tirana mbylli sot vitin si “Kryeqyteti Europian i Rinisë”. Në një ceremoni me të rinjtë në Pallatin e Kongreseve, stafeta për vitin 2023 i kaloi qytetit Lublin në Poloni. Kryebashkiaku Erion Veliaj tha se për Tiranën po mbyllet një vit i rëndësishëm, por nis një tjetër po aq i rëndësishëm, viti i “Qytetit Europian të Sportit”.
Ai tha se Shqipëria dhe Tirana sot është në ditët e saj më të mira: “Po emocionohesha kur shikoja fotografitë, po i thoja Evisit që kisha në krah, sa shpejt ikën 1000 aktivitete, sa shpejt iku ky vit, por unë besoj gjithmonë se ditët më të mira në Tiranë, me çunat e gocat e mrekullueshëm, i kemi përpara. Mezi pres që teksa marrim pak frymë nga një vit i jashtëzakonshëm, kur Tirana ishte Kryeqyteti Europian i Rinisë, ne të rikthehemi të fortë, me energji, si një skuadër e pamposhtur, për Qytetin Europian të Sportit 2023,” u shpreh Veliaj.
Kryebashkiaku tha se ato që sot janë realizuar me shumë mund e përpjekje janë rezultat i asaj që kemi ëndërruar vite më parë dhe që e kanë kthyer Tiranën dhe gjithë Shqipërinë në qendrën e zhvillimeve europiane.
“Teksa po reflektoja se çfarë ishte ky vit për mua, kuptova se disa gjëra kanë shumë rëndësi: Ëndrrat kanë shumë rëndësi. Ne ëndërronim të ishim anëtarë të Këshillit të Sigurimit dhe Shqipëria sot është anëtare e Këshillit të Sigurimit. Ne ëndërronim që një ditë Shqipëria të ishte vendi më i avancuar, një nga vendet që ka bërë më shumë progres, duke menduar prej nga e nisëm dhe ja ku jemi, përpara 2 ditësh, Shqipëria dhe Tirana ishin epiqendra e Europës, shtëpia e madhe e Samitit BE-Ballkani Perëndimor,” u shpreh ai.
Ai kujtoi edhe një prej aktiviteteve më të mëdha sportive këtë vit në Tiranë, siç ishte Uefa Conference League.
“Ëndrrat kanë rëndësi, por fillimisht duhet të ëndërrosh. Ne duhet të punonim fort që të realizonim ëndrrën tonë, që Tirana të ishte Kryeqyteti Europian i Rinisë. Ishte ëndërr për ne që një finale e UEFA-s të ndodhte në Tiranë, siç ishte ajo e Conference League. Ishte ëndërr për ne që një ditë të zgjidheshim Qyteti Europian i Sportit dhe ëndrrat kanë rëndësi sepse vetëm ëndërrimtarët ngrihen nga llumi, ngrihen nga këneta, ngrihen nga moçali, mendojnë gjërat e bukura, që duan të arrijnë, i realizojnë ato dhe kur ia mbërrijnë, janë histori suksesi, siç ishte Tirana jonë,” vijoi Veliaj.