Tirana përmbylli vitin si Kryeqyteti Evropian i Rinisë me një ceremoni festive. Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi gjatë fjalës së saj në këtë ceremoni lëshoi një mesazh të fortë për gjithë të rinjtë shqiptarë.
Kushi ka bërë thirrje që rinia të kontribuojë për një mision të rëndësishëm që është ushqyerja e dashurisë për Shqipërinë, dhe largimi i gjuhës së urrejtjes.
Duke cituar disa fjalë nga Konica, ministrja ka kërkuar nga të rinjtë që ta duan dhe respektojnë edhe më shumë njëri-tjetrin, pasi ky është kontributi më i madh që mund të japin të gjithë së bashku për Shqipërinë.
“Unë besoj që rinia shqiptare duhet të ketë edhe një mision tjetër. Një mision shumë të rëndësishëm. Faik Konica që në vitin 1897 thoshte: ‘Shumë duhet të punojmë ne shqiptarët, sot dhe për së shpejti. Por më parë nga të gjitha të shëndoshim dashurinë dhe vëllazërinë në mes tonë’. Shumë e vërtetë dhe aktuale është kjo shprehje edhe pas kaq shumë vitesh.
Kemi kapërcyer kaq shumë sfida të vështira, luftëra, fatkeqësi natyrore, që na kanë bërë padyshim më të fortë, dhe na kanë bërë ta duam edhe më shumë Shqipërinë tonë. Por a e duam edhe më shumë njëri tjetrin. A jemi edhe më të bashkuar se më parë? A mos vallë ndonjëherë apo dhe shpesh urrejtja na verbon. Dhe duke luftuar njëri-tjetrin i bëjmë dëm Shqipërisë dhe Shqiptarëve.
E kush më mirë se rinia mund të kontribuojë për këtë mision të rëndësishëm. Që tek sa ushqejnë dashurinë për Shqipërinë, për atdheun, për vendlindjen, të largojnë gjuhën e urrejtjes,- shprehet ministrja në fjalën e saj.